Breshëri i rënë gjatë fundjavës në qarkun e Korçës, ka dëmtuar me dhjetëra hektarë të mbjella, sidomos në fushat e Maliqit, ku fermerët shprehen se i gjithë mundi i tyre ka shkuar dëm, ndërsa kërkojnë kompensim.
Reshjet intensive të shiut, shoqëruar me breshër kanë shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi.
“Reshjet e shiut kanë krijuar probleme të shumta sidomos në zonën e Maliqit. Aty janë shkaktuar dëme kryesisht në kulturën e grurit dhe misrit”.
Dhjetëra hektarë me pemëtari, vreshtari dhe grurë, janë dëmtuar nga breshëri i cili zgjati më shumë se 40 minuta në fshatrat Vreshtas, Podgorië, Shamoll, Selenicë, Nizhavec të bashkisë Maliq.
Fermerët kërkojnë kompensim, pasi kostoja është e papërballueshme për ta.
“E ka dëmtuar, e ka thyer, e ka shtrirë të gjithin përdhe. Edhe mund të bëhet, por rendiment nuk ka më. Shikoje dhe grurin poshtë. Subvencione kërkojmë se i kemi paguar të gjitha taksat. Këtu i kemi të gjitha të ardhurat”, tha një fermer.
“Ka dëmtuar shumë. Nuk ka lënë gjë. Jo perime, jo kopshte. Grurin e ka rrëzuar të tërin”, tregoi një tjetër.
Moti i keq ka dëmtuan kulturat bujqësore edhe në qarqet e tjera të vendit.
Në zonën e Shishtavecit në Kukës, dëmet më të mëdha janë tek patatja për të cilën njihet edhe zona.
Por, jo vetëm dëme nga breshëri, pasi kjo kulturë po preket gjerësisht edhe nga sëmundjet dhe insekti i buburreci.
Ende nuk dihet vlera totale e dëmeve në bujqësi dhe as nuk ka vendim nga Ministria e Bujqësisë për kompensimin e fermerëve.
Diskutime rreth kësaj post