Teksa ish-kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici, ka përfunduar në pranga dhe pret përballjen me drejtësinë pas videoskandali seksual në zyrë, Partia Socialiste nuk humb kohë.
Në selinë rozë, kanë filluar përpjekjet për të gjetur një figurë të re e dinjitoze sipas tyre për ta rikonfirmuar socialist të parin e qytetit verilindor.
Burime bëjnë me dije se janë 4 figura që e kanë kaluar filtrin e parë të vlerësimit pozitiv.
Ali Hallaçi, aktualisht mban postin e prefektit të Kukësit, kandidat që përflitet brenda kampit socialist dhe strukturave vendore në zonë, për të garuar në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Hallaçi ka qenë myfti i Kukësit në vitet 2001-2010, ndërsa nga maji i vitit 2022 mban postin e prefektit.
Të njëjtat burime bëjnë me dije gjithashtu, se në sitën e socialistëve do të kalojnë edhe 3 emra të tjerë.
Granit Gjana, drejtuesi aktual i bashkisë, i emëruar nga Këshilli Bashkiak, pasi mbante postin e nënkryetarit deri në momentin e shkarkimit të Safet Gicit.
Gjana është gjithashtu, një ndër preferencat kryesore të Socialistëve.
Dy kandidatët e tjerë të mundshëm që përfliten janë, Astrit Dobrushi anëtarë i këshillit bashkiak Kukës, biznesmen, si dhe Albert Halilaj, ish-drejtor i drejtorisë së tatimeve në Kukës.
Nga burimet mësohet se drejtuesi politik i qarkut, Pandeli Majko, ka zhvilluar takime me 4 kandidatët e mundshëm për garën e ardhshme
Sa i përket kampit rival, i vetmi emër i cili dëri më tani ka konfirmuar kandidimin është Admir Sinamati.
Ish-rivali i Gjicit më 14 maj nën siglën e Bashkë Fitojmë, tha se do të hyjë sërish në garën që pritet të zhvillohet 2 javët e para të muajit gusht.
Sipas nenit 10 të Kodit Zgjedhor, në rast të ndërprerjes së mandatit, zgjedhjet e reja mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit.
Njoftimi vakancës bëhet 15 ditë nga mbarimi i afatit për ankim në Gjykatën Kushtetuese, pra data 31 korrik.
Sipas procedurës së parashikuar në Kodin Zgjedhor, kryeministria fillimisht do të njoftojë institucionin e presidencës për ndërprerjen e mandatit të kryetarit të bashkisë përkatëse.
Pas njoftimit zyrtar për vakancën e krijuar, Presidenti i Republikës brenda 48 orëve, do duhet të marrë vendimin për një datë të re zgjedhjesh të pjesshme, e cila sipas parashikimeve kushtetuese pritet të jetë 6 gushti ose 13 gushti.
Diskutime rreth kësaj post