Sindi Manushi nga Elbasani u bë e para shqiptare që u vendos në krye të një bashkie në Itali. Tanimë, kryebashkiake e Pieve di Cadore, Sindi Manushi, tregon se si ajo dhe familja e saj kanë emigruar në Itali.
Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Sindi Manushi rrëfen se ishte 9 vjeç kur u zhvendos nga Elbasani në Pieve di Cadore teksa tregon vështirësitë me të cilat është përballur në fillimet e saj në Itali.
Sindi Manushi: Unë gjithmonë kam jetuar në Elbasan para se të vija këtu.
Blendi Fevziu: Si u zhvendosët në Itali, kush e mori vendimin? Si e kujton edhe pse ke qenë shumë e vogël?
Sindi Manushi: Po, kam qenë e vogël, por ato kujtimet kanë qenë shumë të qarta në mendjen time. Ka ardhur xhaxhi këtu në vitet 90’, kjo është zonë turistike, malore. Erdhi xhaxhi dhe punonte si kuzhiner dhe më pas erdhi dhe babai im. Ne erdhëm 3 vite pasi kishte ardhur babai këtu. Si babai, edhe xhaxhi erdhën në mënyrë klandestine këtu. Ne erdhëm me letra, plus që fillimet e viteve 2000, opinioni për shqiptarët këtu ishte disi ndryshe. Në vitet 90’ kishte shumë paragjykime, ndërsa në vitet 2000 opinioni kishte filluar të ndryshonte.
Blendi Fevziu: Për një 9-vjeçare që ishte lindur dhe rritur në Elbasan dhe transferohet në një jetë krejtësisht të re, sa e vështirë ishte?
Sindi Manushi: Plot e vështirë sepse Pieve është ndryshe nga Elbasani, këtu është një vend i vogël, ajri është shumë i pastër, nuk ka metalurgji këtu, ka shumë borë, është shumë ftohtë. Edhe njerëzit janë të ftohtë, mirëpo kur fillojnë të të njohin, ata paragjykimet e para nuk llogariten dhe hapen, janë njerëz të sinqertë.
Blendi Fevziu: Çfarë studimi ke marrë?
Sindi Manushi: Deri në klasë të tretë kam studiuar në Shqipëri, pastaj këtu kam mbaruar gjimnazin e përgjithshëm dhe më pas kam studiuar Juridik në Trento. U ktheva sepse nuk më pëlqejnë qytetet e mesme, nuk i kam të miat. Zgjodha të kthehem këtu në Pieve.
Diskutime rreth kësaj post