Tre policët kanë qenë duke ngrënë drekë kur një javë më parë u rrëmbyen nga Serbia brenda territorit të Kosovës, tha kryeministri Albin Kurti, pas vizitës që policëve të paraburgosur ua bëri ambasadori Jetish Jashari.
Të njëjtën ditë, shefi i Zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë, Dejan Paviqeviq, vizitoi serbët e arrestuar kohëve të fundit në veri. Kryeministri mohoi se pati kushtëzim të vizitave të njëkohshme.
Një javë pasi Serbia rrëmbeu tre policë të Kosovë, autoritetet në Prishtinë treguan rrethanën në të cilën ata u kapën.
Kryeministri Albin Kurti tha se nga vizita që të martën iu bë atyre nga shefi i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, është vërtetuar versioni se të tre policët u kidnapuan brenda territorit të shtetit.
Në një konferencë të përbashkët për media me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kryeministri tha se tre policët janë marrë në pyetje ndaras nga njëri tjetri, por me ambasadorin Jashari kanë ndarë rrëfimin e njëjtë.
“Në momentin e rrëmbimit kanë qenë te tryeza e improvizuar për ngrënie, pra kanë qenë duke ngrenë drekë së bashku, kur 15 persona i kanë rrethuar, i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Të tre kanë qenë bashkë dhe që të tre e thonë rrëfimin e njëjtë, kur pyeten ndaras njëri-tjetri kur pyetjen nga ambasadori Jashari”, tha Kurti.
Duke cituar rrëfimet e tre policëve, ministrja Gërvalla, tha se ata fillimisht janë dërguar në Rashkë, pastaj në Beograd dhe se aktualisht janë në Qendrën e paraburgimit në Kralevë.
“Gjatë kësaj periudhe 48-orëshe nuk janë maltretuar fizikisht, mirëpo nuk i është ushqim i mjaftueshëm, vetëm nga një copë bukë dhe jo më shumë. Derisa z. Mustafa i është dhënë vetëm një injeksion nuk dihet me çfarë efekti dhe një pompë për frymëmarrje”, tha Gërvalla.
Në ditën e njëjtë kur shefi i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd ka vizituar të tre policët, edhe shefi i Zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë, Dejan Paviqeviq, ka vizituar serbët e arrestuar kohëve të fundit.
Kryeministri Kurti mohoi se vizita te policët kosovarë ka qenë e kushtëzuar me vizitën që Paviqeviq u ka bërë serbëve të arrestuar në veri.
“Ne nuk dëshirojmë që të burgosurit pa dallim etnie t’i privojmë nga e drejta për vizitë. Pra, edhe nëse nuk do të ishte e mundshme që të vizitoheshin të tre policët tanë, ne nuk do të hakmerreshim duke mos lejuar vizita në Kosovë. Sepse në Kosovë, si republikë demokratike, respektohen të drejtat e të burgosurve”, tha Kurti.
Por, për vizitën e Paviqeviqit, ministrja Gërvalla dha deklarata të ndryshme brenda pak minutash.
“Është e vërtetë që ka ardhur një përfaqësues i Zyrës ndërlidhëse nuk ka qenë drejtuesi i saj dhe ai ka ardhur për t`i vizituar”, tha Gërvalla.
“Është e vërtetë që Paviqeviq ka kërkuar lejen, por ju e dini që kur i kushtohet rëndësi e veçante një akti apo veprimi Serbia gjithmonë dërgon Petkoviqin në Kosovë, i cili flet në emër të Serbisë këtu në këtë në raport me qytetarët tanë”, tha Gërvalla.
Pas marrjes së informacioneve për të tre policët, kryeministri Kurti ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takimin që pritet të mbahet në Bruksel mes tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Sipas Kurtit, deeskalimi i situatës nënkupton lirimin e menjëhershëm e të pakusht të të tre policëve.
Diskutime rreth kësaj post