Kryeministri Edi Rama thotë se Kosova me qëndrimet e Kryeministrit Albin Kurti po rrezikon seriozisht që të humbasë veriun e saj. Në një mesazh në rrjetet sociale ai nënvizon se nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova, duke paralajmëruar se veriu i saj mund të kalojë nën kontrollin e KFOR.
“Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFOR-in në krye të punës! E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFOR-it në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon”.
Një thirrje e ka edhe për Serbinë, të cilës i kërkoi sërish lirimin pa kushte të 3 policëve kosovarë të rrëmbyer javën e shkuar në kufirin mes dy vendeve.
“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen”.
Thirrjet e Kryeministrit Rama janë në të njëjtën frekuencë me qëndrimet që kanë mbajtur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, të cilat i kanë kërkuar me ngulm Kryeministrit Kurti që të ndërmarrë hapat e menjëhershëm për çtensionimin e situatës.
Diskutime rreth kësaj post