Veriu i Kosovës nuk ka gjetur qetësinë as në natën e kaluar, shkruajnë mediat e Kosovës. Dy shok-bomba janë hedhur në pjesën e Mitrovicës së veriut dhe sipas zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani, njëra është hedhur afër stacionit policor dhe tjetra afër një shkolle teknike.
Një ditë më parë, të premten, pjesëtarë të komuniteti serb protestuan përballë godinës së komunës së Leposaviqit, aty ku ishin vendosur ekipet e gazetarëve që po raportonin vizitën e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Por dje gazetarët e Kosovës thonë se pësuan nga sulmet më të rënda të bandave serbe.
Njerëz me maska ka hedhur gurë mbi ta, i kanë rrahur fizikisht dhe 9 gazetarë e operatorë u lënduan.
Nga ana tjetër kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviç, foli me gjuhën e Vuçiçit.
Gjatë një konference për media ai ka shtuar se shtensionimi i situatës, nuk është e tëra në dorën e Serbisë, duke ftuar bashkësinë ndërkombëtare që “ta ndalojë kryeministrin Albin Kurti, ngasë nëse nuk ndodh kjo, nuk ka për çfarë të flitet”.
“Krejt është prej Kurtit dhe kokës së tij të krisur dhe lëvizjeve të tij ku dëshiron që ta vë krejt rajonin në flakë. Synimi i tij është nisja e luftës, jo vetëm në veri por në tërë rajonin”.
Edhe këtë të shtunë kamionët me mallra serbë vazhdojnë të presin në doganë për të hyrë në Serbi.
Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.
Ato kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe dhjetëra persona nga të dyja palët u plagosën.
Më 13 qershor, policia e Kosovës, kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviç, si i dyshuar një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.
Një ditë më pas Serbia arrestoi tre policët e Kosovës, të cilët i la në paraburgim, megjithë thirrjet e ndërkombëtarëve.
Diskutime rreth kësaj post