Tre policët e Kosovës të kapur nga forcat speciale të xhandarmërisë serbe në Leposaviç do të qëndrojnë në burg. Gjykata e Lartë në Kralevë të Serbisë vendosi caktimin e masës paraburgim për policët Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi, të cilët sipas prokurorisë serbe dyshohet se kanë kryer veprën penale prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse.
Organi i akuzës urdhëroi kryerjen e hetimeve ndaj tyre për verifikimin e dyshimeve për veprat penale për të cilat ata akuzohen.
Ndërkohë vizita e ministrit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi në komunën e Leposaviçit ku për tre javë po qëndron i ngujuar kryetari i kësaj komune Lulëzim Hetemi ka irrituar protestuesit serb.
Ata kanë tentuar që të hyjnë në objektin e komunës duke kaluar madje kordonin e ushtarëve hungarezë, por që janë ndaluar nga pjesëtarët e tjerë të KFOR-it që ndodheshin në hyrje të ndërtesës.
Në kohën kur ministri Krasniqi përfundoi takimin, protestuesit serb sulmuan mediat duke rrahur brutalisht kameramanin e RTK-së, i cili ka marrë lëndime të rënda në kokë dhe trup.
Lidhur me këtë sulm ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ndërsa kryeparlamentari Glauk Konjufca ka kërkuar që agresorët të vihen para drejtësisë.
“I bëjmë thirrje edhe një herë faktorit ndërkombëtar që ta shtojë presionin mbi Serbinë, si shkaktare të këtyre tensioneve, sepse s’mund të ketë qetësi dhe stabilitet nëse bandat vazhdojnë të ushtrojnë dhunë dhe terror mbi popullsinë e këtyre komunave, gazetarët dhe forcat e rendit”, thuhet në reagimin e Konjufcës.
Gjatë natës kanë ndodhur 4 shpërthime, 2 afër stacionit policor në Zveçan dhe 2 të tjera në stacionin policor të Mitrovicës së Veriut.
Nga këto shpërthime nuk ka të lënduar por është dëmtuar një veturë e policisë.
Diskutime rreth kësaj post