Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka kërkuar lirimin e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga forcat serbe në Veri të Kosovës. Gjatë fjalës së tij në Ministerialin e Mbrojtjes të vendeve të NATO-s që po mbahet në Bruksel, Peleshi tha se forcat ushtarake apo policore të Serbisë nuk kanë të drejtë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.
Ai nënvizoi se në këtë moment duhet të shikohet me prioritet dhe urgjencë kthimi në shtëpitë e tyre të tre policëve kosovarë të rrëmbyer.
“NATO duhet të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e FSK-së si një institucion themelues që do të garantonte siguri për të gjithë qytetarët. Njohja e Kosovës dhe integrimi i saj euroatlantik janë hapa të rëndësishëm drejt garantimit të stabilitetit të qëndrueshëm në rajonin tonë”, tha Peleshi.
Peleshi theksoi gjatë fjalës së tij edhe rëndësinë që Aleanca duhet t’i japë rajonit të Ballkanit. Ai dënoi sulmet e fundit të dhunshme kundër trupave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës.
“Ne mbështesim plotësisht mandatin e KFOR-it dhe punojmë intensivisht me aleatët për të parandaluar një përshkallëzim të situatës, duke kontribuar në të njëjtën kohë për lehtësimin e dialogut Prishtinë-Beograd”, shtoi më tej Peleshi.
Diskutime rreth kësaj post