Ndonëse kryesia e Partisë Demokratike vendosi të mbajë zgjedhjet për kryetar në 29 Korrik, Gazment Bardhi, i cili krahas detyrës së kreut të Grupit Parlamentar mban edhe atë të Sekretarit të Përgjithshëm paralajmëron se çdo vendimmarrje në shkelje të statutit e bën nul procesin.
Sipas tij, vendimi i shumicës në Kryesi duhet të kalojë në forumet më të larta drejtuese të kësaj force politike.
“Do të duhet të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD. Unë e kam kërkuar brenda Kryesisë, kam marrë një përgjigje informale që nuk do të mblidhet. Nëse nuk ndodh, atëherë nuk do të kemi zgjedhje për kryetarin e partisë në datën 29 Korrik. Unë nuk e kuptoj, interes i kujt është që të fusim edhe njëherë tjetër, një ngërç ligjor në PD. Është pikërisht ky ngërç që e ka mbajtur zvarrë PD gjatë gjithë kësaj periudhe”, the Bardhi për Klan TV.
Ringritjen dhe riorganizimin e partisë e sheh vetëm nëse procesi nis nga baza dhe jo nga zgjedhja e kryetarit. Ndaj dhe atyre që e kundërshtojnë u kujton inkoherencën në qëndrimet e tyre.
“Nëse ne, në një vit e gjysmë kemi thënë tjetër gjë dhe sot bëjmë tjetër gjë, padiskutim secili prej nesh humb besueshmërinë që këtë betejë e ka bërë për PD, e ka bërë për interesin më të mirë të demokratëve. Dhe unë pjesë e këtij skenari nuk kam qenë, nuk do të jem”, tha ai.
Nuk ka asnjë kompeks për t’u ulur me këdo për bisedime në emër të bashkimit të demokratëve, qoftë ky edhe Sali Berisha, por ardhmërinë e Partisë Demokratike nuk e sheh të lidhur me individë të veçantë, duke i mëshuar idesë se, pa forcuar bazën, në zgjedhjet e 2025 PD do shkojë drejt asgjësimit si forcë politike.
“Interesi më i mirë i demokratëve është që PD të futet në një proces real riorganizimi, me anëtarët e PD që rruga që po ndjekin, secili segment brenda PD, është rrugë e gabuar”, shtoi Bardhi.
I gatshëm është të sakrifikojë çdo pozicion drejtues, teksa kolegët e tij në dy grupimet i fton të ngrihen mbi interesat personale në emër të bashkimit.
“Nuk kam asnjë ambicie, madje jam i gatshëm të heq dorë nga çfarëdolloj pozicioni, vetëm e vetëm që t’i hapet rrugë një forcimi të PD”, sqaroi Bardhi.
Diskutime rreth kësaj post