Bledi Malushi, banor i fshatit Neviçisht në qytetin e Korçës, ka kërkuar ndihmën e emisionit “Fiks Fare”, pasi ish-bashkëshortja e tij Flutura Manuka ka kaluar vajzën e mitur 12-vjeçare në pikën kufitare të Kapshticës pa dijeninë e të atit.
Ajo nuk është autorizuar më një prokurë nga Malushi për të nxjerr vajzën e tyre jashtë kufijve të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Manuka pohon se nuk ka bërë asgjë të paligjshme për sa i përket dokumenteve.
“Thjesht provova fatin, në kufi nuk na kontrolloi njeri dhe nuk më kërkuan prokurë”, thotë ai.
Malushi tregon për Fiksin se që prej tre vitesh kanë qenë të divorcuar dhe marrëdhëniet e tyre kanë qenë korrekte për ditët e takimit të vajzës dhe kujdesin e përbashkët deri më datën 10 gusht 2022, kur zonja Flutura Manuka mori vajzën për ta dërguar në Greqi pa dijeninë e tij. Bledi thotë se sapo është njohur me situatën, dy ditë më pas ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Korçë ku dhe ka konstatuar kalimin e vajzës.
Më pas, çështja kaloi në prokurori, ku prokuror i çështjes Dashnor Nure, me datën 16 mars 2022 vendosi mosfillimin e procedimit penal për kallëzimin e “Marrjes së fëmijës pa të drejtë”. Në njoftimin e prokurorit, thuhet se është e qartë vepra penale e mbajtjes së fëmijës pa të drejtë, por sipas Kodit të Procedurës Penale i dëmtuari duhet t’i drejtohet direkt gjykatës. Pasi këtë të drejtë, shprehet prokurori, ia jep ligji si palë e dëmtuar.
Kështu që qytetari iu drejtua Gjykatës Korçë, ku gjyqtarja Luljeta Kole me datë 01 shkurt 2023 vendosi ta quajë të pavlefshëm kallëzimin e qytetarit për “Marrje të padrejtë të fëmijës”, kjo pasi e akuzuara Flutura Manuka nuk ishte gjetur në adresën e shënuar në fletëthirrjen e gjykatës. Pra atë që gjykata nuk e gjeti dot, gazetarët e Fiksit e gjetën fare thjeshtë në rrjetet sociale dhe komunikuan me të. E akuzuara u shpreh se e ka kaluar vajzën pa një prokurë dhe këtë dokument polici në pikën kufitare nuk ia ka kërkuar.
Ajo tregon se ka qenë me të motrën në makinë dhe se ishte fati i vajzës që kaloi. “Ishte fati vajzës, pasi kam qenë në makinë me motrën , polici na pyeti familjare jeni , i thamë po dhe kaluam“, shprehet ajo në telefonatën që pati me gazetarët e Fiks Fare.
Bledi dhe bashkëpunëtorët e “Fiks Fare” i drejtohen Policisë Korçë ku punonjësit i thonë se vajza ka kaluar në pikën kufitare Kapshticë, gjë që tregon se ka kaluar brenda rregullave. Më pas, denoncuesi bashkë me bashkëpunëtorët i drejtohen pikës kufitare Kapshticë, ku takojnë vetë policin që ka bërë kalimin e fëmijës.
“Kam qenë unë atë ditë që e kam kaluar, nuk ka patur një prokurë, zonja ka shfrytëzuar fluksin e atyre ditëve, është gabim njerëzor nga ana ime, do të ndihmoj ta çojmë çështjen deri në fund dhe që zonja të ta sjellë fëmijën. Mua më digjet karriera dhe këtë gjë e kam bërë pa dashje. Ka patur dhe raste të tjera, por prindi tjetër ka ardhur e ka kërkuar pas disa ditësh këtu dhe ne kemi njoftuar palën greke dhe fëmijën e kanë kthyer mbrapsht”, pohon polici kufitar.
Diskutime rreth kësaj post