Vetura me të cilën kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq erdhi të martën në Prishtinë për t’i takuar emisarët e ShBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçak, ishte me targa të Republikës së Kosovës (RKS).
Vetura ishte e regjistruar në regjionin e Mitrovicës pasi kishte numrat hyrës 02.
Mirëpo, pas takimit në Prishtinë, kryetari i Listës Serbe ka udhëtuar për në Zveçan, ku po vazhdon protesta e serbëve lokalë edhe sot.
Ekipi i Kallxo.com në Zveçan e ka parë që vetura në të cilën gjendej Goran Rakiq nuk posedonte fare targa dhe ishte vetura e njëjtë që disa orë më parë ishte në Prishtinë.
Pas përfundimit të takimit me emisarët në zyrën e BE-së në Prishtinë, Rakiq nuk u deklarua para mediave.
Burimet e portalit konfirmojnë se vetura është në pronësi të subjektit politik Lista Serbe.
Portali ka dërguar pyetje tek Lista Serbe në lidhje me largimin e targave të veturës në Zveçan dhe vendosjen e tyre në Prishtinë, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.
Diskutime rreth kësaj post