Amanda Dedej nga fshati Dushk i Lushnjës është 11-vjeçarja që merret me karate dhe ka fituar 27 medalje ari. Të parën e ka marrë në moshën 8-vjeçare, ndërsa së fundmi është shpallur kampione e Ballkanit. Këtë e cilëson si çmimin më të madh që ka fituar deri tani dhe medaljen e mban në qafë.
“Unë e mora vendin e parë duke bërë 4 ndeshje, duke fituar ndaj sportistes serbe, sllovene, Bosnjë-Hercegovinës dhe turke. Jam ndjerë shumë e lumtur”, tha Amanda.
Është ende shumë e re, po sakrificat e saj për karatenë i kalojnë limitet.
“Unë stërvitem 6 orë në ditë dhe kam, 27 medalje deri më tani. E kam filluar që në moshën 4-vjeçare dhe ëndërroj të bëhem kampione bote në të ardhmen”, tha Amanda.
Rezultatet e Amanda Dedejt, por edhe përhapja e sportit të karatesë në Dushk të Lushnjës është për meritë të trajnerit Lirim Dedej, gjithashtu edhe trajner i ekipit kombëtar. Në këtë palestër stërviten fëmijët nga mosha 4 deri në 14 vjeç nga disa qytete të Shqipërisë.
Diskutime rreth kësaj post