Kryetari i ri i PD zyrtare do te zgjidhet pas certifikimit te Anëtarësisë dhe mbajtjes se zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege. Ky ka qenë qëndrimi i grupit parlamentar në mbledhjen e cila zgjati më shumë se dy orë në ambientet e Parlamentit.
Grupi parlamentar propozoi që të ngrihet një grup pune i cili do të ndjekë të gjithë procesin e riorganizimit të partisë. Ky grup pune, i cili do të ketë dhe drejtimin politik të PD zyrtare, do të nisë dhe fushatën në nivel qarku për nxitjen e bashkimit të PD.
Në qëndrimin e PD zyrtare theksohet se nuk do të njihet asnjë strukturë tjetër që mund të dalë nga zgjedhjet e PD së drejtuar nga Sali Berisha.
Në përfundim të mbledhjes, Bardhi tha se kjo platformë ka si qëllim bashkimin e PD dhe forcimin e saj për t’u përballur me kundërshtarët politikë.
“Është një platformë e thjeshtë që synon vetëm një gjë: të forcojë Partinë Demokratike të Shqipërisë. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë shumë afër dhe detyra jonë është të bëjmë një parti më të fortë e më moderne që u përgjigjet kërkesave të shqiptarëve.”
Ai shprehu gatishmërinë që për bashkimin e PD të takohet dhe me Sali Berishën.
“Unë nuk kam asnjë kompleks, të ulem me cilindo. Kur kam pranuar të ulem me një tryezë me kundërshtarin tim natyral politik që është Edi Rama, nuk kam asnjë kompleks të ulem me cilindo brenda PD.”
Nuk mohoi rikandidimin e mundshëm të Lulzim Bashës për kryetar të PD.
“Sa i përket kandidimeve, rikthimeve, sa kohë nuk ka asnjë qëndrim lidhur me këtë çështje unë nuk mund të flas paradhënie.”
Të martën në orën 17:00 PD zyrtare mbledhë Kryesinë e cila do të njihet me qëndrimin e grupit parlamentar dhe të vendos nëse tre hapat e propozuar për riorganizimin e partisë duhet të zbatohen.
Diskutime rreth kësaj post