Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kritikuar homologun e tij britanik, Rishi Sunak për taktikat me shije të keqe të këtij të fundit lidhur me goditjen ndaj emigrantëve shqiptarë, që mbërrijnë ishullin me varka të vogla, shkruan Charles Hymas për ”The Telegraph”.
Edi Rama akuzoi qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar se “e ka shpikur dramën” mbi emigrantët shqiptarë, kur tani ata përbëjnë vetëm dy për qind të mbërritjeve të varkave në La Mansh.
Komentet e tij vijnë pasi kryeministri pritet të pretendojë në një fjalim se plani i tij për të ndaluar anijet që kalojnë La Manshin ka nisur të funksionojë.
Në një përditësim mbi ecurinë e premtimit të tij për të ndaluar anijet, Sunak pritet të përmendë një rënie të konsiderueshme të numrit të shqiptarëve që kalojnë La Manshin si dëshmi se një qëndrim i ashpër ndaj dëbimeve do të pengonte emigrantët e paligjshëm.
Shifrat janë ulur nga rreth 30 përqind e mbërritjeve, vitin e kaluar, në një ose dy për qind në katër muajt e parë të këtij viti.
Megjithatë, Rama thotë se nën 2 për qind e të mbërritjeve në Britani tani ishin nga Shqipëria.
Ai shtoi se ”qeveria britanike nuk mund të shkëputet nga propaganda. Është e mjerueshme dhe të lë shije të keqe të shpikësh një dramë për përfitime politike”.
”Më pak se dy për qind e totalit të mbërritjeve në Britaninë e Madhe ishin nga Shqipëria. Të vazhdosh të flasësh për shqiptarët është gjest i ulët”.
Kryeministri shqiptar nuk ka ngurruar të kritikojë ministrat kur ata flasin kundër shqiptarëve, duke akuzuar më parë Suella Braverman, sekretaren e Brendshme, për komente “të turpshme” për veçimin e shqiptarëve.
Ai sugjeroi që komentet e saj vitin e kaluar për “kriminelët shqiptarë” që kalojnë La Manshin me varka të vogla, mund të konsiderohet krim.
Kuptohet se mijëra shqiptarë janë duke u gjurmuar dhe vënë në shënjestër nga oficerët e Home Office për dëbimet.
Një ekip prej 400 personash të çështjeve është ngritur për të gjurmuar shpejt një numër të madh prej 17,000 kërkesash për azil nga shqiptarët, shumica e të cilave pritet të rezultojnë në dëbimin e tyre.
Ministrat besojnë se qasja e re aktive dhe marrëveshjet e reja të dëbimit me Shqipërinë kanë treguar efikasitet te emigrantët e mundshëm nga shteti ballkanik.
”Arsyeja që ne po kthejmë shqiptarët është që në radhë të parë të pengojmë njerëzit që të vijnë dhe po ia dalim”, thotë ministri i Migracionit, Robert Jenrick.
Diskutime rreth kësaj post