Në një kohë kur tensionet politiko-etnike në Veriun e Kosovës sa vijnë e shtohen dhe kur e gjitha bota i ka sytë nga Prishtina e Beogradi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama duket se e ka mendjen tjetërkund, pra tek “vëllai” i tij i madh, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ky i fundit duket se i ka bërë “lavazh truri” Ramës, i cili në situatën ku ndodhet sot “bija” e Shqipërisë, Kosova, ka vendosur të jetë kundër saj. Kryeministri Edi Rama, pasi sulmoi dy ditë më parë kryeministrin kosovar, Albin Kurti për situatën në Veri, u shfaq dje pranë presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Rama relativizoi rrezikun serb ndaj Kosovës, ndërsa nuk ka thënë asnjë fjalë për dhunën e ushtruar nga bandat e mikut të tij, Aleksandër Vuçiç.
Fotoja e takimit në samitin e Moldavisë është publikuar nga mediat serbe. Në tavolinë shihet edhe anëtarja serbe e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviç, presidentja e Republikës së Greqisë Katerina Sakelaropoulou dhe kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut. “Ne në rajon e dimë më së miri se sa e rëndësishme është që së bashku të bëjmë çdo përpjekje për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e fituar me vështirësi. Diskutuam ngjarjet aktuale dhe hapat e mëtejshëm që do të kontribuonin në gjetjen e një zgjidhjeje për situatën aktuale të vështirë dhe serioze, me shpresoj se arsyeja do të mbizotërojë, për të mirën e të gjithëve”, tha Vuçiç, i cituar nga mediat serbe. Por disa minuta më pas, reagoi edhe kryeministri Rama në rrjetet sociale, mesazh ky që fshikullonte kryeministrin Kurti dhe dukej sikur ishte shkruar nga dora e presidentit serb. “Rajoni duhet të hyjë në një marrëdhënie të re me BE-në, ndërkohë që konflikti në Veriun e Kosovës duhet të zgjidhet krah për krah me botën demokratike, duke i dhënë fund absurdit kërcënues dhe duke finalizuar marrëveshjen e normalizimit e të njohjes së ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë”, shkruan Rama. Pra Rama, në një kohë që duhet të kishte refuzuar takimin me Vuçiçin, i cili po provokon me luftë vëllezërit kosovarë, ai zgjodhi të ulej në sofër me të, duke vazhduar lojën antishqiptare në shërbim të serbëve me ngjarjet në Veri. Kështu që përballë kësaj situate sa tragjike, aq edhe komike, lëvizjet e fundit të kryeministrit shqiptare meritojnë të quhen: “Kosova digjet, Edi Rama “krihet” me Vuçiçin”.
Raportet Kosovë-Shqipëri
Megjithatë nga ana tjetër, mësohet Shqipëria dhe Kosova nuk kanë pasur asnjë kontakt me njëra-tjetrën gjatë situatës së rënduar në Veri. Edhe pse Beogradi vuri në gatishmëri ushtrinë dhe situata ka qenë shumë e tensionuar, mes kryeministrit Rama dhe kryeministrit Kurti apo presidentes Osmani, nuk ka pasur asnjë telefonatë. Kjo u konfirmua dje nga kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për emisionin “Opinion” në TV Klan. Madje Rama theksoi se edhe sot, pra dje, në takimin që ka pasur në Moldavi me Osmanin, nuk ka folur për këtë çështje. “Nuk kam folur sepse shoh. Ata nuk janë fshehur dhe qëndrimi i tyre është i qartë. Është një çështje që është përgjegjësi e plotë e kryeministrit të Kosovës dhe e presidencës së Republikës së Kosovës. Janë ata nëse vendosin të diskutojnë ose jo. Nuk jam unë që i marr e u them ore si do ja bëni. Është respekt për ta dhe institucionet e Kosovës. Nuk e kam kërkuar një diskutim të tillë dhe nuk jam unë që duhet t’ia u kujtoj. Unë nuk jam babi i Kosovës. Është e drejta e tyre që të mos konsultohen”, deklaroi ai.
Rama kunja Kurtit
Ndërkohë, Rama ka vijuar me “thumbat” ndaj Albin Kurtit. Sipas tij, tensionet janë të panevojshme dhe Kosova duhet të tërhiqet. Sipas tij, duhen zgjedhje të reja në veri. “Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Kjo është situatë e rrezikshme dhe e panevojshme. Nuk më takon mua të nxjerr përgjegjësit dhe sot jam kthyer nga Moldavia ku kanë qenë liderët e komunitetit Evropian dhe ne jemi një linjë me SHBA. Kjo situatë është e papranueshme dhe e pajustifikueshme. Kosova të shpallë zgjedhje të reja dhe serbët të kthehen në institucione. Fokusi i të dyja palëve nuk duhet të jenë të përplasen dhe të dëmtohen ku nëpër botë të shpërndahen foto të ushtarëve të KFOR të dëmtuar, por të mbyllin marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë”, u shpreh ai. Më tej Rama duket se i dërgoi një mesazh Kurtit. Ai u shpreh se kryeministri i Kosovës është ai që e ka në dorë zgjidhjen e situatës. “Kjo që po ndodh po e lëndon Kosovën në sytë e të gjithëve. Kjo nuk është e drejtë të ndodhë, aq më tepër për diçka të kësaj natyre. Është e kotë të rrinë kryetarët e komunave në godina. Albini e ka të gjithë lojën në dorë dhe mund ta kthejë pa qenë nevoja për një përshkallëzim absurd”, nënvizoi Rama.