Me siguri që të gjithë fansat e festivalit të madh “Sunny Hill” do të mërziten pasi të lexojnë këtë artikull. Eventi që bën bashkë shumë yje të muzikës është anuluar për këtë vit dhe do të mbahet vitin e ardhshëm në fundjavën e parë të gushtit.
Ky lajm është bërë i ditur nga vet faqja zyrtare e festivalit, ku thuhet se vendimi u mor për shkak se festivali do të zhvendoset në Bërnicë, që do të jetë “shtëpia” e “Sunny Hill Festival” në vitet në vazhdim.
Njoftimi i plotë:
“Ne besojmë se nxitimi i procesit të punës do të zvogëlonte cilësinë dhe esencën e asaj që Sunny Hill Festival e përfaqëson. Duke qenë edhe vet fansa të muzikës dhe festivaleve, ne besojmë shumë në ofrimin e përvojës unike dhe të jashtëzakonshme që ne si festival duhet ta ofrojmë. Prandaj, kemi marrë vendimin e vështirë për ta shtyrë edicionin e sivjetmë të Sunny Hill Festival, që t’i japim kohë krijimit të hapësirës së re. Ruani datat për një edicion masiv të Sunny Hill Festival në fundjavën e parë të gushtit 2024.
Tashmë ka ardhur koha ta bëjmë një hap tjetër të madh përpara. Këtë vit, ne po bëjmë gati shtëpinë tonë të re, hapësirën e përhershme të festivalit në Bërnicë. Një vend i cili ua mundëson gjithë pjesëmarrësve ta marrin përvojën më të mirë që ata të gjithë e presin dhe meritojnë. Përjetimet e paharrueshme që i sjell Sunny Hill Festival janë më të rëndësishmet. E pjesëmarrësit në festival e meritojnë absolutisht më të mirën. Në të gjitha aspektet, përfshirë edhe hapësirën kushtuar festivalit, me infrastrukturën e plotë”.
Kujtojmë se vitin që la pas “Sunny Hill” u mbajt për herë të parë dhe në Tiranë, ku pati të ftuar artistë shqiptarë dhe të huaj të cilët dhuruan super performance.