Presidenti francez, Emmanuel Macron, bashkë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, do të bisedojnë sot me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
Takimet do të organizohen para samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau.
Këto takime do të zhvillohen ndarazi mes presidentit francez dhe kancelarit gjerman me liderët e Kosovës dhe Serbisë.
Për përshkallëzim të situatës në veri të Kosovës, presidenti francez ia ka hedhur gjithë përgjegjësinë autoriteteve në Prishtinë.
“Ka një përgjegjësi të qartë të autoriteteve kosovare në situatën aktuale dhe mungesë respekti për një marrëveshje që është e rëndësishme dhe është mbyllur disa javë më parë”, ka thënë ai.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.
Serbët në veri kanë filluar protestën të premten (26 maj). Protestuesit kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.
Ata kanë hedhur sende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, teksa kanë sulmuar edhe mediat
Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.
Diskutime rreth kësaj post