Vijon protesta në veri të Kosovës. Qytetarët serbë të cilët janë mbledhur para selisë komunale në Zveçan kanë provokuar sërish, teksa kanë vendosur flamurin e Serbisë në njërën prej autoblindave të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
Komandanti i KFOR-it që gjendet para Komunës së Zveçanit ka rënë dakord me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiç, që të largohen dy autoblindat e Policisë së Kosovës. Por, protestuesit kanë bërë rezistencë dhe nuk pranojnë të largohen nga rruga. Negociatat janë duke vazhduar.
Çfarë po ndodh në veri të Kosovës?
Qytetarët serbë kanë tentuar sërish të bllokojnë objektet e komunave dhe të pengojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptar. Policia e Kosovës dhe KFOR kanë rrethuar ndërtesat zyrtare ndërsa situata është përshkallëzuar teksa kanë hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Për shkak të rindezjes së tensioneve është njoftuar se shkollat në veri të Kosovës do të mbyllen dhe mësimi do të pezullohet përkohësisht. Për zhvillimet e fundit në veri ka pasur reagime të shumta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian të cilët kërkuan të mos përshkallëzohet situata pasi që kjo nuk ndihmon në procesin e dialogut mes dy vendeve.
Diskutime rreth kësaj post