Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar sërish sot qeverinë se përmes bandave kanë bërë gjithçka për të ndryshuar rezultatin në zgjedhjet vendore të 14 Majit.
Në një deklaratë për medie ai është shprehur se një komision po punon për të denoncuar atë që ai e quan krimin monstruoz elektoral dhe se shqyrtimi i thelluar kërkon kohën e duhur.
Berisha: Bandat e Edi Ramës bënë gjithçka për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve në shumë e shumë zona të vendit. Por bandat ishin një shkrirje me bandat e qeverisë. Inxhinierë, drejtorë, punonjës, kanë ushtruar terror ndaj qytetarëve me kërcënimin: votën ose jetën!
Delinkuentë të dënuar rëndë në vendet përreth si përdhunues kanë shoqëruar deputetë të PS dhe janë vendosur numërues, në Devoll për shembull. Në burgun e grave në Tiranë është votuar 100 përqind për Erion Veliajn. Vetëm një person, dhe ai ishte vëzhguesi, ka arritur të votojë ndryshe.
Në qendrat e tjera, qytetarët janë detyruar të mos futen fare në dhomën e fshehtë sepse kanë marrë fletën e mbushur nga komisioneri.Këto janë vetëm disa nga rastet e panumërta që dëshmojnë dhunimin flagrant të të drejtës së qytetarëve shqiptarë në këtë proces farsë elektorale.
Një komision i ngritur po punon me intensitet dhe unë dua të falënderoj të gjithë ata, drejtues, anëtarë, simpatizantë, vëzhgues, komisionerë, kandidatë, që po kontribuojnë në denoncimin e krimit monstruoz elektoral, të farsës 14 maj 2023.
Diskutime rreth kësaj post