Duket se opozita nuk ka pranuar humbjen për asnjë bashki, ndërsa i ka cilësuar zgjedhjet e 14 majit një maskaradë elektorale.
Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, ka denoncuar sot shkeljet e bëra në Elbasan që ndikuan, ku sipas tyre në rezultatet e zgjedhjeve.
Sipas Blendi Himçi kryetarit të Berishës në Elbasan, administrata ka ushtruar presion ndaj qytetarëve, ndërkohë që policia ka zgjedhur të jetë krah mazhorancës dhe të përdorej prej saj.
Ai u shpreh se do publikohen emrat e zyrtarëve të përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve dhe se provat do të dërgohen në SPAK, SHBA e BE.
DEKLARATA E PLOTË:
“Prej datës 14 janar 2023, koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka denoncuar në të gjitha format masakrën që po përgatitej për zgjedhjet vendore në Bashkinë e Elbasanit. Përdorimi i resurseve publike prej kryetarit në detyrë të bashkime, shpërndarja e ndihmave ushqimore me angazhimin e drejtpërdrejtë të kryetarit të bashkisë, presioni ndaj administratës publike nëpërmjet plotësimit të formularëve të patronazhimit, përdorimi i asfaltit elektoral pa procedurë tenderimi, përdorimi i Policisë Bashkiake si mjet shantazhi, fluksi i ndërtimeve pa leje, neglizhenca me qëllim e autoriteteve bashkiake, angazhimi i drejtpërdrejtë i drejtuesve të institucioneve publike në blerjen e votës, etj, ishin një kambanë alarmi për masakrën që po përgatitej kundër zgjedhjeve të lira.
Policia e Shtetit, në vend të reagimit ndaj këtyre fenomeneve antiligjore dhe antikushtetuese, zgjodhi të rreshtohet në krah të pushtetit dhe të përdorej prej tij. Shantazhi ndaj veprimtarëve të Partisë Demokratike u kthye në një shqetësim real në ditët e fundit të fushatës elektorale. 3 drejtues të Partisë Demokratike (Aurel Bylykbashi, Doriano Koldashi, Maik Elezi), dhe një kandidat për Këshillin Bashkiak (Franko Hakija), u ndoqën dhe u shoqëruan prej efektivëve të Policisë së Shtetit në shkelje të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Ndaj tyre nuk kishte asnjë indicie për kryerjen e veprave penale, përveç faktit që ishin të angazhuar me krah të opozitës dhe Partisë Demokratike.
Kontrolli, pa asnjë mandat, dhe për më tepër në zyrën elektorale të Partisë Demokratike në lagjen ‘Skënderbej’ ishte akti i fundit i Policisë së Shtetit në shërbim të plotë të Partisë Socialiste. Të gjitha këto akte ishin paralajmërime për atë që do ndodhte ditën e zgjedhjeve. Cenimi i të gjithë procesit zgjedhor u finalizua më 14 Maj. Shantazhi i votuesve u bë i drejtpërdrejtë ditën e zgjedhjeve, në hyrje të të gjitha qendrave të votimit. Të gjithë drejtuesit e institucioneve u vendosen në rresht para të gjitha qendrave të votimit dhe shantazhonin votuesit për të votuar Partinë Socialiste. Operatoret e PEVN, në shkelje të plotë të funksioneve të tyre dhe fshehtësisë së votës, shoqëronin votuesit përgjatë kryerjes së votimit.
Shpresa se, votimi elektronik do të siguronte një proces transparent e të sigurt, u vra. Për fat të keq edhe ky mekanizëm i fundit i mbrojtjes së lirisë së votës u kthye në vegël manipulimi në favor të Partisë Socialiste. Më shumë se 20 raste u raportuan për shtrembërim të vullnetit të zgjedhësit nga Pajisja Elektronike e Votimit. Publikisht, sekretari i një KQV denoncoi se si kishte votuar kandidatin Luçiano Boçi dhe pajisja kishte printuar votën në favor të kandidatit Gledian Llatja.
Ky manipulim u bë edhe më i qartë në ZAZ 47, në Qendrat e Votimit 2481/1 dhe 2483, në të cilën prej KZAZ, në flashin e PEVN, është lexuar tjetër rezultat nga ai i raportuar nga sistemi. Të gjitha këto shkelje tregojnë qartë se si makineria shtetërore u vendos në shërbim të plotë të manipulimit zgjedhjeve në Bashkinë e Elbasanit. Ne po punojmë për dokumentimin e të gjitha shkeljeve, të cilat po dorëzohen në selinë qendrore të Partisë Demokratike ku është ngritur një grup pune për krijimin e databazës së manipulimeve. Këto gjetje do të çohen në SPAK dhe do t’i nisen ODHIR dhe të gjitha institucioneve ndërkombëtare në Bruksel dhe Uashington. Ne nuk lejojmë që vullneti i elbasanasve apo shqiptarëve të shtrembërohet. Kërkojmë një të drejtë që e kemi fituar që në vitin 1991: të zgjedhim të lirë!”, shprehet ai.
Diskutime rreth kësaj post