Deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj, i ftuar këtë mbrëmje në Top Channel me moderatoren Grida Duma, analizon humbjen e thellë të së djathtës në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Duke folur për dorëheqjen e Enkelejd Alibeajt nga drejtimi i partisë dhe kërkesën e Gazment Bardhit për të thirrur Këshillin Kombëtar, Gjekmarkaj shprehet se nuk është momenti i duhur. Si mund të thërrasësh një forum që nuk e ke, pyet deputeti.
“Kjo ka stopuar masën. Ka defaktorizuar popullin opozitar. Ka mungesë forumesh, ka mungesë njerëzish. Kjo parti praktikisht për momentin nuk duhet të bëjë asgjë. Kjo është këshilla më e dobishme. Të rrijë pezull. Kam parë deklaratat e para, më janë dukur bunkerizuese. Të mbyllesh dhe të kërkosh fajtorin”.
Duhet gjetur zgjidhja për t’u ringritur, thotë demokrat, që shton se pjesë e zgjidhjes nuk duhet të jetë kurrsesi Sali Berisha apo Lulzim Basha.
“Çështja është si do të ringrihemi. Degbari mes PD të madhe dhe PD të vogël do të jetë vetëvrasja e madhe që do të na çojë drejt asgjësimi.
Mendoj se e vetmja rrugë është rithemelimi i PD, por këtë herë të jetë i vërtetë. Duhet të fillojë nga vullneti i mirë, nga arsyeja. Të bëhet një platformë bashkëpunimi, lidershipi të ketë një lider të ri, as Berisha, as Basha. Atëherë do të kishim një forcë konkurruese”, – ka shtuar ai.
Gjekmarkaj paralajmëroi se ky është shansi i fundit për partinë më të madhe opozitare.
“Nëse nuk e realizon deri në shtator, ne do të turpërohemi akoma më shumë dhe është e pavlerë të dalim pas dy vitesh dhe të themi na i vodhën. Në PD po gënjejnë veten. Berisha duhet të kuptojë që nuk duhet ta varrosë krijesën e vet, të mos bëhet dëshmitar në këtë funeral. Shoh një gjuhë agresiviteti, rezistence”. – ka perfunduar ai
Diskutime rreth kësaj post