Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, priti në takim ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Shqipëri.
Ambasadori Markovski dhe Drejtori i Përgjithshëm vlerësuan bashkëpunimin e mirë mes policive të dy vendeve dhe shprehën gatishmërinë për ta zgjeruar bashkëpunimin në të ardhmen.
Gjatë takimit u dakordësua që gjatë sezonit turistik veror, të ketë patrullime të përbashkëta në zonat bregdetare të të dyja vendeve; për krijimin e lehtësirave në pikat e kalimit kufitar, me qëllim eliminimin e radhëve të gjata, për rritjen e shkëmbimit të informacionit për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, të cilat mund të zhvillohen duke përfituar nga fluksi i madh i shtetasve në hyrje apo dalje, në pikat e kalimit.
Gjithashtu, u propozua ideja e hapjes së pikës së kalimit kufitar Trebisht – Xhepisht 24/7, për të mundësuar lëvizjen e lirë të shtetasve që banojnë në këto zona, të cilët aktualisht kanë lëvizje me orar të kufizuar.
Ambasadori Markovski i bëri me dije Drejtorit të PSh-së, kërkesën e Drejtorit të Qendrës së Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Maqedonisë së Veriut, për të zhvilluar takime me homologët e Policisë së Shtetit, me qëllim nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi mes dy vendeve, jo vetem në kuadër të bashkëpunimit për menaxhimin e kufirit, por edhe në fushën e krimit të organizuar dhe terrorizmit. Memorandumi do të eliminojë burokracitë dhe pengesat në drejtim të shkëmbimit në kohë reale të informacionit që nevojitet për zhvillimin e operacioneve të përbashkëta, për patrullime të përbashkëta në kufi etj.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e siguroi ambasadorin, për angazhimin e Policisë së Shtetit, në luftën kundër paligjshmërisë, krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti, si dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit, për të punuar ngushtësisht me partnerët, pasi vetëm kështu mund të kemi rezultate më të mira në luftën ndaj krimit të organizuar dhe krimit global, në veçanti atij kibernetik.
Ambasadori, në fund të takimit, e ka falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm dhe e ka përgëzuar atë për vizionin dhe rezultatet që Policia e Shtetit ka arritur kohët e fundit, si dhe e ka ftuar për një vizitë zyrtare në Policinë e Maqedonisë së Veriut.
Diskutime rreth kësaj post