Takimi i kryetarit të Partisë Social Demokrate, Tom Doshi, me miqtë e biznesmenit Ardian Nikulaj dhe njëkohësisht mbështetës të PSD-së nis me një homazh për 50-vjeçarin e vrarë disa ditë më parë.
Kreu i socialdemokratëve kërkoi që Lezha, të bëjë realitet amanetin e Nikulaj për ta çuar në fund misionin që ai kishte.
“Ne nuk do ta lëmë në rrugë misionin e tij. Ai na ka lënë porosinë. Ka thënë ‘nëse më ndodh gjë mua ju vazhdoni rrugën’. Këtë ia ka thënë edhe vajzës së tij. Nuk ka qenë e lehtë për mua të jem këtu. Kam qenë shumë i lidhur me të. Ju e keni pritur këtë mesazh prej meje. Dhe unë për këtë kam ardhur sot këtu, të votoni nr. 8 Partinë Socialdemokrate”, tha Doshi.
Kreu i PSD u shpreh se pavarësisht akuzave për ta ngjyrosur politikisht vrasjen e Ardian Nikulaj, një falenderim shkon për policinë e shtetit, e cila zbardhi autorët që ekzekutuan Nikulajn, ndërsa tha se misioni i të ndjerit nuk do të mund të shuhet asnjëherë.
“Berisha u mundua ta përziente ngjarjen me politikën. Unë dua të falënderoj sot policinë që të gjithë sot e dimë se një grup kriminal erdhi dhe mori pjesë në vrasjen e Ardianit. Ju të gjithë e dini sa i rëndësishëm është Këshilli Bashkiak, ne pretendojmë që në Lezhë dhe në Mirditë do të dalim forcën e parë. Edhe në Laç po punojmë. Kjo pjesëmarrje kaq e madhe na bën optimistë edhe për fitoren e thellë që do të kemi. Pas 2 vitesh kemi zgjedhjet parlamentare dhe duhet të kemi deputetin tonë në qark”, tha Tom Doshi.
Diskutime rreth kësaj post