Kandidati për kryebashkiak i Pukës, ka denoncuar të shtënat me armë në Pukë afër mesnatës. Në një deklaratë Gjon Gjonaj akuzon kandidatin rival Rrok Dodaj, se po bën presion mbi qytetarët pukjanë për të marrë bashkinë e këtij qyteti.
Ai i ka bërë thirrje Policisë që të zbardhë sa më parë ngjarjen, ndërkohë që kjo e fundit ka identifikuar autorin dhe e ka shpallur në kërkim.
“Puka pas shumë vitesh, afër mesnatës së kaluar dëgjoi krisma armësh, të cilët u shkrehën në qytet nga ata që të importuar me pagesë nga kandidati pa parti i opozitës tentuan të prishin traditën e Pukës. Pasi kanë kërcënuar mbështetës të Partisë Socialiste duke iu drejtuar dhe armën, në largim e sipër, nga mjeti me të cilin ata lëviznin është qëlluar në ajër. Por a mund t’ju bëhet presion pukjanëve në shtëpinë e tyre?! Këtë ta harroj Rroku që mendon se mund të marrë bashkinë nën presionin e armëve. Ja pra vizioni dhe strategjia përmes të cilës ai kërkon të vijë në pushtet. Puka ka shpalosur qytetari, maturi dhe qetësi në çdo situatë, përfshirë këtu dhe fushatat elektorale dhe këtë nuk do mund ta prish Rroku dhe as njerëzit me precedent që ai ka sjellë me pagesë në Pukë. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të zbardh ngjarjen menjëherë duke shfrytëzuar provat e gjetura pas kësaj ngjarje”.
Gjonaj u kërkoi gjithashtu, mbështetësve që të shmangin provokimet.
“Një lutje të sinqertë bëj për të gjithë mbështetësit tanë që këto ditë të shmangin provokimet e sojit të këtyre që mendojnë se Puka voton nën kërcënimin e armëve të mercenarëve, të cilët kanë zbarkuar nga qytete të tjera me qëllim frikësimi. A mund të ndodh kjo?! Kurrë Jo! Edhe ata pukjanë që kanë qenë në atë makinë do e ndjejnë shpejt barrën e përgjegjësisë për prishjen e kësaj tradite të bashkëjetesës dhe harmonisë që karakterizon Pukën. Për të gjithë shqiptarët dua të bëj një sqarim: Nuk është kjo Puka, nuk është ngjarje që ndodh nga pukjanët. Siç e kemi dëshmuar, jemi popull i qetë dhe mikpritës e këtë e tregon dhe fakt se në Pukë ka dhjetëra vite që nuk është shkrehur armë. Ky është kandidati që pretendon të marr drejtimin e bashkisë që bashkë me humbjen me 14 Maj do të marr dhe përgjegjësinë e veprimeve të tilla që prishin imazhin e Pukës në prag të këtij sezoni turistik”.
Ndërkohë, burime nga policia bëjnë të ditur se autori i kësaj ngjarjeje është 26-vjeçari me iniciale K. P.
Policia ka shpallur në kërkim autorin dhe mjetin tip Maserati me të cilin lëvizte. Policia ka gjetur 4 gëzhoja pistolete.
Diskutime rreth kësaj post