Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi nga Dibra se dibranët duhet të votojnë më 14 maj për mbrojtjen e Dibrës nga rreziku ekzistencial që i vjen nga Skavica dhe shpopullimi.
“Kjo erë shprese, ky fllad fitoreje e ka tmerruar Edi Ramën, i cili është në kohërat më të vështira të ekzistencës së tij, është në kohërat e numëruara të fundit të regjimit të tij despot, monist.
Kjo situatë, ky dëshpërim shprehet më fushatën e tij të bazuar në banalitetin e një njeriu që nuk ia lejon kurrë vetes në publik. Shprehet me zinxhirin e pafundëm të mashtrimeve, por shprehet me largimin e tij dhe të përfaqësuesve të tij, që dalin nga bodrumi i Edi Ramës. Ata nuk ballafaqohen dot me kandidatët rivalë, nuk del këtu rivali i tij të ballafaqohet në këtë shesh, në studio televizive dhe kudo me Ismail Ukën.
Sepse, siç e dini, ai është i pesti kandidat si në asnjë vend tjetër në botë, që ndërron brenda 4 viteve. Ata ikën njëri pas tjetrit, secili me mungesë të madhe dinjiteti. Erdhën, vodhën dhe ikën. Prandaj nuk vijnë këtu që të kthejnë xhepat dhe të tregojnë se si kanë qeverisur.
Nuk dalin para jush se ata përfaqësojnë një parti pushtuese. Të gjitha ata të cilët që u marrin liritë dhe pasurinë qytetarëve, janë pushtues, pavarësisht nga etnia e tyre.
Dibra dhe dibranët janë një emër nderi për çdo shqiptar. Janë një emër nderi në historinë e këtij kombi. Tre tipare nuk janë askund më të shquara se tek ju. Ju jeni më punëtorët. Së dyti, mençuria juaj është e mirënjohur kudo. Askush nuk ka ditur më shumë se ju që të nderojë mikun. E treta, ju i keni qëndruar historisë me gjak dhe burrëri. I keni qëndruar me personalitetet më të mëdha që i keni dhënë kombit.
Kurse sot, Dibra është para alternativës të jetë a mos të jetë. Sot, një pushtues i vërtetë, një armik i egër i Dibrës e ka vendosur përpara alternativës të shuarjes apo ekzistencës së saj.
Hidrocentrali i Skavicës është mbytja e Dibrës, është mbytja e pjesës më pjellore të saj, është mbytja e pjesës së saj më historike, është mbytja e të shkuarës së saj, e të sotmes dhe të ardhmes së Dibrës. Kurrë ndonjëherë ky vend nuk ka pasur një rrezik ekzistencial sa ka në këto zgjedhje më 14 maj.
Edi Rama, në zbatim të politikave antishqiptare, dhe ju e dini se armiqtë tanë shekullorë kanë bërë gjithçka të zhdukin Dibrën, kanë dështuar gjithmonë. Jam i bindur se do dështojnë edhe këtë herë. Dibra nuk zhduket. Ajo është monumenti më madhështorë që ekziston.
Ndaj dhe ftoj dibranët të votoni me 14 maj jo për partinë, por për Dibrën, për Ismail Ukën, për të shkuarën, për të sotmen, për të ardhmen tuaj.
Thirrja ime për dibranët, ta doni Dibrën sa e don Sali Berisha. Detyra është ta doni më shumë, por të paktën ta doni sa e dua unë.
Ndaj ngrihuni në këmbë kudo që jeni. Ejani dhe votoni për mbrojtjen e Dibrës, votoni për Ismail Ukën,” tha Berisha.
Diskutime rreth kësaj post