Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me deputetin e PS, Fatmir Xhafaj, u takuan me banorët e Njësisë 10 në kryeqytet.
Veliaj tha se mjafton të shohësh transformimin e Tiranës në 8 vitet e fundit, për të kuptuar mënyrën e drejtimit të qytetit nga socialistët.
“Parku Rinia është metafora më e bukur se tregon se si jeton një hapësirë e qytetit kur e qeverisin të majtët, ata që dinë të bëjnë qytet dhe shtet, dhe si e qeverisin ata që thonë: “Këtu është çdo gjë falas”. Te Parku Rinia ishte “kap ç’a të kapësh”, secili diskon e vet, kioskën e vet, kush është më i fortë zapton më shumë. Sot nuk ekziston më ai zaptim, nuk ekziston më ajo marrje e frymës, ai park ku kishe frikë të afroheshe. Është komplet një Shqipëri tjetër. Megjithatë, unë besoj se puna nuk ka fund, edhe ajo që kemi bërë me njësinë do duhet që të vazhdojë”, u shpreh Veliaj.
Për ata që akuzojnë se bashkia punon vetëm në fushatë, përgjigjja e kryebashkiakut ishte: “Ne nuk pritëm të bënim Parkun “Rinia” sa të vinin zgjedhjet. E bëmë në kohën e duhur që njësia ta shijonte në momentin e duhur. Nuk pritëm për “20 Dhjetorin” që të vinin zgjedhjet, nuk pritëm as për shkollën “Qemal Stafa”, madje ka qenë shkolla e parë ku investuam. Nuk pritëm zgjedhjet për të bërë rrjetin e ujësjellësit në “Rrugën e Durrësit”.
Ne nuk pritëm as për “Rrugën e Bogdanëve” sepse besoj që, gjithmonë është koha e duhur për të bërë gjënë e duhur dhe punën e duhur për njësinë tonë”.
Veliaj tha se Terminali Perëndimor, bashkë me linjën hekurudhore Tiranë-Durrës, që do ketë stacionin kryesor te Kthesa e Kamzës, do çlirojnë më tej trafikun, ashtu siç bëri ndërtimi i Terminalit Lindor tek rrethrrotullimi i TEG-ut.
“Më në fund mbaroi terminali lindor tek rrethrrotullimi i TEG-ut dhe ndërkohë, sapo kemi filluar punimet për terminalin e autobusëve tek “Kthesa e Kamzës”, ku ka ardhur edhe transheja e trenit Tiranë-Durrës 22 minuta dhe Tiranë-Rinas 12 minuta. Në qoftë se tani është liruar Sheshi “Shqiponja”, nëse tani është liruar edhe “Astiri”, imagjinoni sa do lirohet kur edhe trafiku që vjen nga rrethet mbaron te “Kthesa e Kamzës”, dhe i japim një frymëmarrje Tiranës”, u shpreh ai.
Veliaj tha se një tjetër projekt i rëndësishëm për çlirimin e trafikut në Tiranë, ai i Unazës së Madhe, është drejt fundit.
“Sot, jam i vendosur për një gjë, që në mandatin e tretë të mos humbas më 3 vjet të sqaroj projekte si “Astiri”. Ndaj, segmenti nga shkolla “Andrea Stefani”, pra nga “Shqiponja” në Laprakë, Paskuqan, Tufinë e Shkozë dhe pastaj në Farkë, që janë 7 lotet e fundit, kanë filluar të shtata, të sigurohemi që çlirimi që i bëri Unaza e Madhe në drejtimin lindor, të ndodhë edhe në drejtimin perëndimor dhe Tirana të ketë më në fund, Unazën që shkarkon trafikun dhe nuk do kesh më nevojë të vish në sheshin “Skënderbej”, por mund të përdorësh Unazën në secilin drejtim, Lindje-Perëndim, për të shkuar në lagjet e tjera të Tiranës”.
Veliaj tha se vetëm Partia Socialiste është forca që i çon punët përpara.
“Sot nuk diskutohet a kemi mbjellë pemë ne, por pyetja është: kemi mbjellë 1 milion apo 1 milion e një pemë. Sot nuk diskutohet a kemi bërë shkolla, por sa shkolla kemi bërë: kemi bërë 40 shkolla, apo 41. Një nga arsyet pse Astiri voton Partinë Socialiste është se ata e dinë që gjëja e parë që do bëjmë pas votës së 14 Majit janë 5 shkollat e Astirit. Se çdo njeri normal e di që ata që bëjnë 40 shkolla bëjnë edhe 45, ata që bëjnë 100 rrugë bëjnë edhe 105, ata që mbjellin 1 milion pemë, mbjellin edhe 2 milion pemë. Dhe ata që e kanë çuar Tiranën përpara, mund të vazhdojnë ta çojnë akoma më përpara”.
Deputeti i PS, Fatmir Xhafaj shtoi se Tirana është me fat që drejtohet nga ky ekip dhe ky kryebashkiak.
“Kam dëgjuar shpeshherë që thonë ky lali Eri qenka me fat. Unë them dhe besoj që ndaj të njëjtin mendim me ju, që fatin e bëjnë njerëzit. Fatin e cilitdo nga ne e kemi ne vetë në dorë, por sidomos fatin zhvillimin e atij qyteti e përcaktojnë njerëzit e atij qyteti, e përcaktojnë menaxherët e atij qyteti. Ne mund të themi sot që ky qytet është me fat se ka këtë ekip, se ka këtë kryebashkiak. Dikush mund të thotë që “është me fat PS, është me fat Erion Veliaj, se s’ka kundërshtarë”. Së pari, kundërshtarin nuk e zgjedhim ne, e zgjedhin vetë ata. Po ç’faj kemi ne, që një parti me 2 gishta lart për demokraci, u shndërrua në një me gishtin e mesit si simbol elektoral”, deklaroi Xhafaj.
Diskutime rreth kësaj post