Deputeti i PD Edi Paloka, ka zbuluar sot strategjinë që ka zgjedhur ky subjekt për zgjedhjet e 14 majit, ai tha se takimet me qytetarët do të jenë fokusi, pasi sipas tij, pjesa më e madhe janë blera nga Rama.
“Kemi takime të përditshme, edhe gjithë strategjia e fushatës do të përqendrohet tek takimi direkt me qytetarët. Dihet tashmë që pjesa më e madhe janë të blerë nga Rama dhe jemi të detyruar që të kemi kontaktin direkt me qytetarët. Ndërkohë edhe Berisha është gjithë kohën në takime me kandidatë, ku përveç takimeve paraqet edhe qëndrimet politike. Këto zgjedhje kanë një vlerë shumë të madhe. Për opozitën është edhe një trampolinë për zgjedhjet parlamentare. Rama ka ushtruar të gjithë presionin e tij për të marrë në dorë të gjitha pushtetet”, tha Paloka në News24.
Ai akuzoi Alibeajn se ka si mision dëmtimin e opozitës, por se nuk arriti të gjente aq kukulla që t’i përdorte si lolot e tij, duke iu referuar kandidatëve të tij.
“Fakti që Alibasha këmbënguli për të nxjerrë 61 kandidatë tregoi se ky njeri kishte si mision dëmtimin e opozitës, por nuk arriti të gjente aq kukulla që t’i përdorte si lolot e tij. As ata vetë nuk i qëndruan sepse një pjesë shumë e madhe dhanë dorëheqjen”, u shpreh Paloka.
Ndër të tjera, theksoi se ishte Alibeaj ai që nuk ra dakord as me deputetët e tij.
“Nuk është sekret që brenda atij grupi nuk ka mirëkuptim. Ai grup që për mua u tregua më koshient dhe mbrojti interesin e PD pavarësisht pozicionit ku janë, tentuan të arrinin në një kompromis për të mos e dëmtuar PD. Përderisa demokratët donin Berishën, mund të qëndronin brenda PD, por momenti kur filloi gjyqi ishte një lojë bashkëpunimi me Ramën dhe këtu ishte edhe përçarja reale e PD-së. Në momentin që morën vulën që iu dhurua nga Rama bënë thirrje që kandidatët e primareve të dilnin me siglën tonë. Unë mendoj se ata dhanë dorëheqje pasi u ndërgjegjësuan dhe kuptuan se po përdoreshin. Ishte grupi i Alibeajt por që ishte në interes të Ramës”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post