Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kristaq Kume është shprehur se në fletën e votimit, do duhet të figurojë Lulzim Basha si kryetar i Partisë Demokratike. I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ më gazetarin Arbër Hitaj, Kume ka thënë se përtej vendimit të dhënë nga KAS, Alibeaj nuk është kryetar i PD, por i komanduar. Që do të thotë sipas tij, Basha figuron ende kryetar dhe për këtë jep argumente.
“KAS njohu Alibeaj si përfaqësues i PD që ka të drejtën që të firmosë në deklaratën solemne. Fleta e votimit ku shkruhet partia dhe kryetari, për mua nuk ka ndryshuar me atë që kemi pasur më parë, para se të merrej vendimi nga KAS dhe pastaj nga Celibashi, pres të jetë Partia Demorkatike dhe Lulzim Basha. Nuk e gjej të mbështetur edhe në vendimmarrjen e KAS, nuk e njeh Alibeaj si kryetar i partisë, por i ka njohur atij fuqinë për të drejtuar partinë, ai është jo kryetar, por i komanduar”, tha Kume.
Një gangrenë e zgjedhjeve në Shqipëri është procesi i numërimit dhe për Kumen, kjo ka ardhur për shkak të artificave kontrolluese të partive politike që nuk kanë besim te njëra-tjetra.
“Palët nuk i besojnë njëra tjetër dhe kanë krijuar artifica kontrolluese dhe kjo rëndon procesin e numërimit në zgjedhje”, shtoi ai.
Në ndryshim nga zgjedhjet parlamentare, Kume tha se zgjedhjet vendore janë shumë miqësore ndaj partive të vogla dhe kandidatëve të rinj.
“Nuk afektohen nga ligji as partitë e vogla dhe as kandidatët e pavarur, përveç grumbullimit të firmave, ky proces është shumë miqësor ndaj partive politike të vogla dhe kandidatëve të rinj”, tha ai.
Si një njohës i mirë i ligjit, Kume sqaroi edhe se si bëhet zgjedhja e anëtarëve të Këshillave Bashkiak. Nisur edhe nga akti që Partia e Lirisë, apo parti të tjera të vogla po bëjnë “luftë” për të siguruar një vend në parlamentin e qytetit.
“Subjekteve politike iu numërohet numri i votave në njësinë përkatëse vendore dhe në bazë të % së votave iu ndahet numri i mandateve dhe mandatet iu jepet kandidatëve duke filluar nga i pari e me radhë. Pragu nuk është i fiksuar, varet nga numri i anëtarëve të Këshillit Bashkiak”, sqaroi ish kreu i KQZ-së.
Në fund, Kume e cilësoi si një “Goditje vetëasgjësuese për PD nëse ndodh që në Shkodër të fitojë socialistët”.
Diskutime rreth kësaj post