Deputetja e PD, Jorida Tabaku theksoi dje e nuk duhet të ketë presion ndaj gjykatës për fatin e vulës së PD, vendim që do të jepet më 3 mars kur Sali Berisha ka paralajmëruar protesta të fuqishme. Në një intervistë për mediat, deputetja demokrate deklaroi dje se opozita është e përçare dhe ky vendim duhet të ndikojë për të bashkuar demokratët. Madje Tabaku shprehet se duhet t’i vijë fundi përçarjes së demokratëve dhe të shkojnë si opozitë me 1 kandidat në zgjedhjet vendore të 14 majit.
“Nuk kam komentuar asnjëherë vendime gjykatash. Për mua, mendoj se kjo ka nevojë për zgjidhje politike dhe shpresoj që të vijë përtej këtij vendimi të gjykatës. Më duket e pandershme për demokratët që debatet për një çështje që vijon të na ndajë, duhet të vendosim interesat e demokratëve së pari dhe të dalim me kandidat të përbashkët dhe asnjëri nga ne s’duhet të ushtrojë presion mbi gjykatën. Dua ta konsiderojë si vendim për të bashkuar PD. Përtej vendimit të gjykatës, duhet zgjidhje politike për PD. Opozita duhet të dalë me 1 kandidat, duhet të jetë e gjitha e bashkuar kur kemi kaq shumë përqendrim pushteti e përdorim burimesh shtetërore, sa kohë të kemi mundësi e hapësirë do të punoj në këtë drejtim”, deklaroi ajo.
Ndërsa për mocionin me debat që do të mbahet më 2 mars, Jorida Tabaku theksoi se në fokus do të jetë transparenca për çështjen e ish zyrtarit të FBI, Charles McGonigal. Po ashtu, ajo një koment e pati edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi Bordin e Transparencës për çmimet duke thënë se duhet të pezullohet menjëherë aktiviteti i tyre përfshirë edhe karburantet.
“E quaj fitore në aspektin politik duke qenë se ka qenë kauzë e drejtë por do të ishte fitore nëse qytetarët s’do kishin përjetuar rritjen e çmimeve. Ajo që ka ndodhur me Bordin e çmimeve dhe karburanteve është për mua një nga abuzimet më të mëdha që i ka sjellë qeverisë 350 milionë euro shtesë në buxhet. Duhet të pezullohet menjëherë aktiviteti i bordit të ushqimeve”, u shpreh ai.
Ndërkohë sa i përket kandidimit për Bashkinë e Tiranës, deputetja demokrate thotë se nuk është në qëllimet e saj.
“Bashkia e Tiranës nuk është në synimet e mia. Tani jam e fokusuar në parlament dhe më pëlqejnë sfidat këtu”, nënvizoi Tabaku.
Diskutime rreth kësaj post