Kryeministri Edi Rama ka thënë nga Podgorica se në vjeshtë, në Tiranë do të mbahet një tjetër Samit i rëndësishëm që pason atë të 6 Dhjetorit. Në konferencën e përbashkët me homologun Abazoviç, Rama tha se Samiti i Procesit të Berlinit do mbahet në vjeshtë.
“Procesi i Berlinit do të ketë samitin e vetë në Tiranë, në fillim të vjeshtës. Data për t’u përcaktuar në takimin që unë do të kem së shpejti në Berlin me kancelarin Scholz”, u shpreh Rama.
Këtë deklaratë kryeministri shqiptar e ka bërë teksa ka vlerësuar dëshirën e Dritan Abazoviç për një Samit të Ballkanit të Hapur, në qershor 2023, në Malin e Zi.
“Kemi ndjerë ngrohtësinë e mikpritjes dhe afrimitetin vëllazëror. Shqipëria dhe Mali i Zi janë më shumë sesa fqinj dhe mund të bëjnë shumë më tepër sesa kanë bërë deri më sot.
Në këtë kontekst përveç sfidave të drejtpërdrejta, vlera e kësaj mundësie dhe vëllazërie në fqinjësi bëhet edhe më e madhe.
Kemi vizituar Kievin dhe presidentin Zelensky, në respekt të mandatit tonë si kryeministra të dy vendeve që janë të rreshtuar që në momentin e parë në krah të Ukrainës, të dy vendeve anëtare të NATO-s dhe si vizita jonë në Kiev, si përpjekjet tona të përbashkëta, janë themeli i një marrëdhënie që ka një potencial të jashtëzakonshëm për t’u thelluar më shumë”, u shpreh Edi Rama.
Diskutime rreth kësaj post