Deputetja e Partisë Socialiste, Luljeta Bozo, ka dhënë një intervistë të gjatë për emisionin “Kjo Javë”, ku është shprehur se, ndërsa qëndronte në shtëpi, pasi pas një incidenti kishte thyer këmbën, Bozo komentoi zhvillimet e fundit politike në vend dhe situatën e krijuar javët e fundit në Kuvend.
Ajo u shpreh se ishte e pranishme vetëm 45 minuta në seancën e fundit plenare, por u largua me dhimbje koke për shkak të zhurmës akustike të shkaktuar nga opozita.
“Ajo seancë, ishte për mua jo normale, sepse në vend të bëhen diskutime pro dhe kundra, seanca ishte një tmerr i vërtetë. Unë tre çerek ore ndenja dhe më filloi një dhimbje koke e tmerrshme nga rënia e bilbilit dhe tavolinave me dorë”, u shpreh ajo.
Ndërkohë e pyetur lidhur me çështjen e ish-zyrtarit të FBI, Charles McGonigal dhe përmendja e emrit të Edi Ramës në aktakuzë, ajo tha se duhet pritur që drejtësia amerikane të përfundojë hetimet, e më pas të kërkohet që të veprojë Prokuroria jonë.
“Unë mendoj se çështja McGonigal, i përket SHBA dhe do ta zgjidhin ata, dhe nëse gjatë shqyrtimit do dalë ndonjë gjë nga këto probleme që ngre opozita, atëherë do vijë puna dhe tek ne. Sepse duhet të kesh prova ta çosh në Prokurori që të nisin hetimet. Nuk dyshoj, se drejtësia amerikane është drejtësi në kuptimin e vërtetë të fjalës, dhe problemet e tjera janë fare absurde, që dhe një fëmije t’ia thuash nuk i beson… që një kryeministër do bëka gjithë këtë gjullurdi”, tha ajo.
E sa u përket portestave nga opozita, ajo thotë se vetëm revolucion që nuk janë, dhe se kështu është e pamundur që të rrëzohet një qeveri.
“Ky vetëm revolucion nuk është… revolucioni është një vullkan. Nuk është me aq njerëz sa dolë. Revolucioni vjen nga një revoltë e përgjithshme, për gjërat që njerëzve u ka ardhur laku në fyt. Kur ngrihet duhet të kesh një objektiv, për çfarë po ngrihesh? Në lidhje me zyrtarin e FBI? Për mua nuk është kauzë. Të mbarojë hetimi dhe pastaj të ngrihen. Me këto protesta nuk bie jo ky kryeministër, por asnjë. Bie vetëm nga vota e popullit”, u shpreh Bozo.
Diskutime rreth kësaj post