Deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka i ftuar në studion e emisionit “Frontline” në News24 ka folur në lidhje me protestën e zhvilluar ditën e sotme dhe situatën e krijuar në sallën e Kuvendit. Paloka deklaroi se kryeministri është “zhdukur” sepse ka frikë të ballafaqohet me opozitën për çështjen “McGonigal”, ndërsa shtoi se deri dje Rama bënte “arrogantin dhe cinikun” duke fyer në Parlament.
Sipas tij frika e ka detyruar atë të heshtë, teksa vijoi duke thënë se dikush e ka sugjeruar Ramën të mos flasë, pasi çdo gjë mund të përdoret ndaj tij në një gjyq të mundshëm kundër tij lidhur me rastin e ish-agjentit të FBI. Sa i përket situatës së krijuar në Parlament, Paloka tha se maxhoranca po tenton të eliminojë fjalën e lirë dhe opozitën përmes veprimeve në Kuvend, ndërsa shtoi se ka një listë për përjashtimin e deputetëve që “prishin punë në seancë” si Berisha, Noka apo të tjerë.
“Këtë muaj Rama është zhdukur sepse ka frikë të ballafaqohet me opozitën për një skandal si ky. Ai i ka humbur të gjitha siguritë. Deri dje vinte dhe bënte arrogantin e cinikun duke fyer, këto skena prej një muaji e ca nuk po i shohim. Si frikacak i vërtetë që është priti deri sa u larguan qytetarët para parlamentit. Ndryshe nga herët e tjera me gjithë provokimet e deputetëve të opozitës ai nuk bëri asnjë reagim. Nuk tha asnjë fjalë, komplet jashtë natyrës së Ramës. Heshtja është shumë e qartë. Frika është në nivele të tilla që e ka detyruar Ramën të heshtë. I detyruar dhe jam i bindur se dikush e ka sugjeruar të mos flasë, ndoshta një avokat apo këshilltar juridik.
Mund të përdoret ndaj tij në gjyq çdo gjë që mund të thotë. Ai e di që çfarë ka dalë në aktakuzë është një pjesë shumë e vogël nga ajo që ka në dosje. Flitet për lidhjet e McGonigal me elementë rusë, ndërkohë që të njëjtët rusë për të cilët akuzohet ai, Deripaska është investitor strategjik në Shqipëri. Rama këto i di si ne dhe për këtë arsye, duke pritur se çfarë do dalë. Mediat e huaja nuk i lëshojnë informacionet pa i verifikuar 10 herë. Kur jepet një informacion i tillë nga mediat jashtë është nga burime të sakta dhe të sigurta. Rama nuk e di çfarë ka dosja dhe i trembet sepse kur merr kot mund ta “qelbë”.
Nuk ka asnjë akuzë të opozitës. E vetmja gjë që ka thënë opozita është që Rama e ka përdorur pushtetin e tij për të blerë votat deri te zyrtarë dhe funksionarë të lartë deri në FBI. Është vërtetuar se këto lidhje korruptive i ka përdorur kundër opozitës. Rama edhe me kaq është i zhytur. Në një rast tjetër ka qenë i implikuar dhe doli pastër. Për 80 mijë dollarët për foton me Obamën. Aty u dënua Bilali në Amerikë sepse ishte shtetas. Ky rast është krejt ndryshe, sepse nëse vërtetohet se marrja e parave nga McGonigal, vërtetë Ramën nuk e marrin ta çojnë në burg atje, por nuk mund të jetë më kryeministër. Si në çdo aspekt që Rama ka uzurpuar përmes korruptimit në forma të ndryshme, i vetmi institucion ku kemi ende fjalë është Parlamenti. Edhe ky po tenton të eliminojë opozitën dhe fjalën e lirë.
Komisionet hetimore janë detyrim kur një numër i caktuar deputetësh ka firmosur. Nuk e di nëse ka karagjozllëk më të madh se ky që pretendojnë këta, që kemi falsifikuar firmat tona. Nëse dikush falsifikon firmën time e çoj në prokurori, nuk ia çoj Taulant Ballës. Sot nxorën tjetër justifikim. Tha ajo që po ndryshojnë komisionet hetimore dhe nuk ka komision deri sa të miratohet. Edhe po të jesh injorant e kupton që kjo nuk qëndron. Kjo bëhet sepse nuk duan një komision në këtë moment. Rama në këtë rast do ishte i detyruar për t’u përgjigjur. Ditën e fundit që parashikon rregullorja e ka lënë mocionin. Për pyetjet që kemi drejtuar parashikohet një javë, jo një muaj. Kjo zonja që drejtonte tha meqë ka shumë kërkesa i bashkojmë bashkë. Unë jam përjashtuar 3 herë deri tani. Kjo është e bukura, nuk u bëra fare rebel. Te përjashtimi i parë nuk bëra asgjë. As dola në podium, as ndonjë akt tjetër. Isha në këmbë në vendin tim. Ata e kanë në listë, kush na prish punë në mocion, Berisha, Noka, Paloka, etj”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post