Pas seancës kaotike në Kuvend, deputeti Agron Shehaj zbuloi thelbin e kërkesave të opozitës sa i përket skandalit Rama-McGonigal. Sipas Shehajt, mjafton fakti që një kryeministër ka tentuar të eliminojë opozitën, që të japë dorëheqjen. Kjo është edhe arsyeja pse, sipas deputetit, opozita kërkon debat në Kuvend dhe kërkon komision hetimor për çështjen.
“Mjafton fakti që kryeministri tenton të asgjesojë dhe të eleminojë opozitën, në çdo vend normal ky kryeministër duhet të japë dorëheqjen. Të tentosh të eleminosh opozitën do të thotë të eleminosh demokracinë e një vendi. Kjo është arsyeja pse ne kërkojmë debatin në Kuvend, kërkojmë komisionin hetimor dhe do protestojmë në datën 11 shkurt”, tha Shehaj në rubrikën Opinion.
Agron Shehaj i referohet padisë kundrejt ish-zyrtarit të lartë të FBI, Charles McGonigal, ku thuhet se personat pranë kryeministrit kanë dëshmuar në një hetim penal kundër një lobisti amerikan që punonte për një parti politike shqiptare që nuk drejtohej nga Edi Rama.
Mospranimi i Edi Ramës në interpelancën e thirrur dhe delegimi i ministres së shtetit Elisa Spiropali, sipas Shehajt është shenjë se kreu i qeverisë po fshihet dhe se është i zhytur në aferë.
“Kjo është një çështje shumë e rëndë, dhe për ne ka rëndësi të zbatohet ligji dhe rregullorja e Kuvendit. Kryeministri nuk mund të fshihet. Mospjesëmarrja e tij është e qëllimtë.
Ky është tregues se Rama nuk ka çfarë të thotë dhe se është i zhytur në aferë. Janë fakte në aktakuzë.” – u shpreh Agron Shehaj.
Diskutime rreth kësaj post