Giovanni Tumminello është tregtari në Palermo ku bosi i mafies së Cosa Nostra-s, Matteo Messina Denaro bleu makinën e tij të re Alfa Romeo Giuletta dhe këmbeu një Fiat 500 që e vlerësoi 10 mijë euro. Arrestimin e kreut të mafies italiane e pa në televizor dhe menjëherë iu kujtua klienti që takoi 1 vit më parë për të blerë një makinë.
Tumminello e përshkruan si njeri të qetë që mbante syze dhe kapele, kishte sens humori dhe fliste për pasionin për makinat e shpejta dhe sportive që kishte pasur që kur ishte i ri. Te tregtari në Palermo, bosi i mafies bleu makinën me të cilën udhëtoi gjatë muajve të fundit para se të arrestohej.
Në një bisedë për median italiane ‘Corriere Della Sera’, Giovanni Tumminello ka rrëfyer takimin me Matteo Messina Denaron dhe gjithçka mban mend rreth tij.
“16 janari, një datë që nuk do ta harroj kurrë. Rreth orës 11:00, teksa punoja, pashë në televizor lajmin e arrestimit të bosit të mafias. Kur treguan foton e kartës së identitetit dhe zbuluan emrin e rremë që përdorte Messina Denaro, Andrea Bonafede, u ndjeva keq. Shkova te punonjësi që e kishte takuar i pari. Ne shikuam njëri-tjetrin dhe në një çast kuptuam se klienti anonim të cilit i kishim shitur një makinë tip “Alfa Romeo Giulietta” një vit më parë ishte në të vërtetë një i arratisur. Vazhdova të punoja, ndonëse me shumë shqetësim. Por rrëfej se në fund të ditës, teksa ndodhesha vetëm në makinë, më dridheshin këmbët”, tha Tumminello.
Si e kujtoni Andrea Bonafede-n?
“Një burrë normal. Ai hyri me syze dhe kapele, por bënte ftohtë, ishte janar dhe nuk më dukej e çuditshme. Ai na ofroi që të bënim një shkëmbim me një Fiat 500, i cili tha se i përkiste nënës së tij dhe kërkoi të shihte një “Giulietta” që kishte vënë re në faqen tonë. Ishte e gjitha e zakonshme. E vlerësova makinën e tij, e cila, meqë ra fjala, ishte shumë e pastër dhe e mirëmbajtur. Makinën që kishte ia vlerësova 10 mijë euro. Ai ra dakord. Të nesërmen shkëmbyem mesazhe në whatsapp. Ai kishte një profil i zakonshëm, pa foto.”
Por si është Messina Denaro?
“Më kujtohet se ishte një person i sjellshëm. I dhashë një kupon dhe më falënderoi. Ai donte që ne t’i shpjegonim se si funksiononte “Giulietta”. Ne biseduam për një orë në dhomën time teksa prisnim që të vinte makina që kishte porositur. Madje më dukej i kulturuar. Fliste për historinë dhe filozofinë. Disa klientë merren me gjëra personale ose diskutojnë për makinat, ndërsa ai jo. Ai vetëm më tha se kur ishte i ri kishte një makinë të fuqishme sportive.’
Si u bë pagesa?
“Më 10 janar më bëri një transfertë bankare me të gjithë shumën. Ai tha se në kontratë do të shënohej nëna e tij si blerëse. Ne bëmë të gjitha dokumentet dhe, pasi morëm i morëm, ai u largua me “Alfa Romeo Giulietta”.
A vinte gjithmonë vetëm?
“Po”.
A dukej i shqetësuar?
“Jo, më dukej i qetë, bënte shaka. Ditët e fundit kam parë të gjitha dokumentet dhe ua kam dorëzuar hetuesve sapo kam kuptuar se kush ishte klienti”.
Çfarë ju la kjo përvojë?
“Kam një javë që jam i shqetësuar. Dua të rifilloj jetën normale. Nuk di si ta qortoj veten. Ishte e pamundur të kuptohej se kush ishte. Messina Denaro dukej vërtet si një njeri i zakonshëm”.
Kujtojmë se kumbari i mafies siciliane ra në pranga më 16 janar. Kapja e tij është historike pasi policisë italiane iu deshën plot 30 vite për të rënë në gjurmët e tij. E veçanta e arrestimit të tij është se përkon me të njëjtën datë me kapjen e Toto Riinës, gjithashtu 3 dekada më parë. Matteo Messina Denaro, zëvendësuesi i Toto Riinës, autor i mijëra masakrave, u gjet në një klinikë private në Palermo, ku kurohej nga tumori.
Diskutime rreth kësaj post