Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zbardhi disa detaje pas darkës së punës që pati një natë më parë me emisarin evropian për dialog, Miroslav Lajçak.
Ai tha se plani evropian është bazë e mirë për bisedime dhe janë pajtuar që marrëveshjet të implementohen, por jo të ketë prioritet ndonjërën prej tyre.
Kurti megjithatë pranoi se ka kërkesa që çështja e asociacionit të komunave me shumice serbe të jetë prioritet. Por, shtoi se kjo nuk mund të bëhet.
“Ka insistim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ashtu siç është nënshkruar më 19 prill 2013, e më pas edhe i elaboruar në shtatë kapituj më 2015, të theksohet më shumë, por ajo marrëveshje është tashmë e theksuar, sepse është e vetmja marrëveshje, nga 33 marrëveshjet e Brukselit, që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese”-theksoi Kurti.
Po ashtu, ai përsëriti se marrëveshja finale me Serbinë duhet të ketë në qendër njohjen
“Të mos harrojmë që marrëveshja duhet të ketë njohjen reciproke dhe vetëm atëherë mund të kemi normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”- shtoi ai.
Këto komente ai i bëri një ditë pas takimit me Lajçak, i cili deklaroi se janë pajtuar me Kurtin që të gjitha marrëveshjet e arritura te implementohen.
Diskutime rreth kësaj post