Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim ka ripërsëritur edhe njëherë dje vendosmërinë e SHBA-ve për të mbështetur reformën në drejtësi dhe SPAK sa i takon luftës kundër korrupsionit, ndërsa ka lëshuar edhe një mesazh të fortë për politikanët dhe zyrtarët e përfshirë në afera korruptive e kriminale, se po ju troket ora e llogaridhënies. Duke folur nënjë intervistë në emisionin “Real Story” në Report Tv, zonjaKim u pyet se përse deri më tani nuk ka pas hekurave “peshq të mëdhenj”, teksa u shpreh se SPAK po punon për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Sipas ambasadores Kim, ka deputetë dhe ish-ministra pas hekurave, ndërkohë qëparalajmëroi se lufta ndaj korrupsionit do të mbështete fort nga amerikanët. “Po shohim ish-ministra, njerëz të fuqishëm, anëtarë të parlamentit, oficerë policie, politikanë, drejtues të krimit të organizuar, disa njerëz të biznesit, të dalin në gjyq dhe të shkojnë në burg. Dhe kur thua se asgjë s’ka ndodhur…”. Puna dhe detyra jonë është të themi se duhet të ketë sundim të ligjit në këtë vend; që është koha që pandëshkueshmëria të marrë fund. Dhe besojmë se reforma në drejtësi po fillon të japë rezultate. Edhe një herë, shikoni faktet. Mos u shpërqendroni nga propaganda nga të gjitha anët. Ka disa njerëz që duan që ju të beson ise reforma në drejtësi nuk ka për të ndodhur. Ndaj injorojnë faktet dhe thonë se asgjë s’ka ndodhur kështu që është okay të thuash se s’do ndodhë gjë.Por faktet tregojnë një histori tjetër. Tregojnë historinë se pandëshkueshmërisë po i vjen fundi. Tregojnë historinë e zyrtarëve të lartë të shqetësuar. Kam dëgjuar plot histori për njerëz që nuk i zë gjumi, duke vrarë mendjen nëse e kanë radhën ata për shpalljen tjetër non-grata apo për ndjekje penale. Dhe nëse je i shqetësuar, me shumë gjasë ke arsye të forta për t’u shqetësuar. Dhe do t’iu thoja përsëri të gjithë prokurorëve, gjyqtarëve, hetuesve, bëni punën tuaj”, deklaroi ajo.
Lëvizje e lirë drejt SHBA-ve
Më tej ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka zbuluar edhe një lajm të mirë për shqipotarët, ndërsa ka deklaruar se Shqipëria është në rrugën e duhur që të hyjë në SHBA pa viza. E ftuar në ‘Real Story’, ajo tha se një gjë e tillë mund të ndodhë shumë shpejt. “Varet nga çfarë ndodh në Shqipëri. Por mund të them këtë. Kur japim, kur vendosim të japim viza dhjetë-vjeçare, kuptimi është që jemi optimistë për dhjetë vitet e ardhshme. Nuk bëj dot parashikim se kur saktësisht do të mund të udhëtojmë pa viza fare, por mund të them se jemi në drejtimin e duhur. Një nga këta tregues është tregtia, biznesi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, u shpreh ajo.
Situata në PD
Nga ana tjëtër, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka komentuar edhe situatën brenda Partisë Demokratike.Ajo u shpreh se shpallja “non grata” u bë në përputhje me interesin kombëtar të SHBA, por sipas saj, të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe shqiptarët, duke marrë vendim në interes të vendit. Me pak fjalë, ambasadorja kërkoi që të mos i shkohet pas një personi me damkën e “non gratës”. “Ky është një vendim që partia dhe mbështetësit e saj, dhe në fund votuesit shqiptarë, duhet të marrin. Nuk mund t’i marrim ne vendimet për ta. Ne e kemi bërë shpalljen (non-grata) në përputhje me interesin tonë kombëtar. Populli shqiptar, udhëheqësit shqiptarë duhet të marrin vendimin e tyre bazuar në atë që është në interesin kombëtar të Shqipërisë. Kemi opinionin tonë dhe e kemi ofruar atë, i cili është që duhet të ecni përpara. Një nga gjërat për të cilat mendoj se të gjithë biem në një mendje është që në një demokraci, roli i opozitës është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Duhet të keni opozitë të vërtetë që jo vetëm ka ide dhe udhëheqësi, por që në fakt është e aftë të fitojë zgjedhje. Kështu që, anëtarët e Partisë Demokratike duhet të mendojnë për këtë pyetje dhe do duhet të marrin vendimin e tyre”, u shpreh ajo. Po ashtu, ambasadorja Kim kërkoi nga demokratët që të mbështesin të ardhmen dhe pak të shkuarën. Duke folur në një intervistë në “Real Story”, Kim nuk i përmendi as emrin Berishës, duke e bërë të qartë se ai nuk ekziston fare për amerikanët. Ndonëse ky i fundit çirret çdo dit duke e sulmuar.“Shpresa jonë është që Partia Demokratike do të përfaqësojë përsëri të ardhmen, do të jetë përsëri forca që do të jetë e aftë ta tërheqë Shqipërinë përpara, ta drejtojë përpara, jo pas“, tha ajo.
Mesazhi për ministren Xhaçka
Por ambasadorja amerikane Yuri Kim ka folur dje për herë të parë mbi njoftimin e pak kohëve më parë të Ministrisë së Jashtme, e cila lajmëroi se ajo po largohet. Njoftimi ishte në kushtet e një skandali diplomatik, pro ambasadorja kurrë nuk e komentoi drejtpërdrejt.Ajo u pyet dhe vendosi ta “godasë” Olta Xhaçkën në mënyrë mjaft diplomatike. Ajo shmangu komentet e tepërta për njoftimin, por e bëri të qartë se është presidenti i SHBA ai që e përcakton se kur ikën dhe kur vjen një ambasador.“Ministrja e Jashtme ka qenë në atë post për ca kohë dhe njihemi mirë. Dhe kur qeveria e Shqipërisë nxjerr një shpjegim, marrim fjalën e tyre. Dhanë shpjegim, pranojmë fjalën e tyre”, shtoi fillimisht ambasadorja në “Real Story”. Ndërkohë më pas ajo dha sinjale se do të jetë edhe për disa kohë në vendin tonë. E pyetur se kur largohet, Kim tha: “Do doja ta dija. Shiko, normalisht nëse sheh mandatin e ambasadorëve të ndryshëm amerikanë që kanë qenë këtu, zakonisht jemi këtu për rreth tri vjet. Por në fund varet nga vendimi i Presidentit sepse një ambasador është përfaqësues personal i Presidentit Amerikan. Dhe, varet edhe nga Senati ynë që duhet të konfirmojë atë që emërohet. Kështu që s’kam mënyrë për ta parashikuar. Gjithçka mund të them është se jam këtu për të bërë një detyrë në emër të vendit tim dhe do të vazhdoj ta bëj deri ditën e fundit. Dhe nuk e di se kur është ajo ditë e fundit”, nënvizoi ambasadorja e SHBA, Yuri Kim.
Zgjedhja e kreut të ri të SPAK
Po ashtu, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim është ndalur të flasë edhe për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK. Ajo ka sqaruar se nuk ka pasur një “përplasje” mes palëve për një kandidat të favorizuar nga SHBA apo palë të tjera. Ajo tha se prezenca e saj ka qenë një tregues e SHBA-ja mbështet Reformën në Drejtësi.
“E shpjegova ditën kur shkova aty, sepse e di që njerëzit po tirrnin lloj-lloj teorish dhe kishte shumë keqkuptime. Përsëris, pati një përpjekje për ta paraqitur këtë si një person që ishte kundër një tjetri. Është thjesht çmenduri. Arsyeja pse ishim atje ishte arsyeja pse kemi qenë në takime të tjera si ky dhe aktivitete të tjera të ngjashme. Për të përforcuar dhe demonstruar mbështetjen e fortë të SHBA për zbatimin e reformës në drejtësi. Për t’u siguruar që secili e kupton që ne presim nga lojtarët, aktorët këtu që të ndjekin shtetin ligjor, që kur marrin vendime, duhet të marrin vendime të bazuara në ligj dhe rregulla dhe kritere, jo bazuar në frikë apo favore. Është shumë e rëndësishme që kushdo që të zgjidhej kreu i SPAK ose kushdo që zgjidhet gjyqtar apo inspektor, të gjithë këta individë në sistemin e drejtësisë, është e rëndësishme të kuptojnë, të besojnë dhe, në fakt, të vendosen në ato poste bazuar në kualifikimet e tyre, jo si rezultat i kërcënimeve a favoreve. Këtë duam të ulim. E di që ka shumë teori sikur Shtetet e Bashkuara favorizojnë një kandidat të caktuar apo kundër këtij apo atij personi. Të gjitha janë të rreme. Janë vërtet lajme të rreme. Synimi ynë i vetëm në çdo gjë që kemi bërë për sa i përket reformës në drejtësi është të sigurojmë zbatimin e saj në përputhje me ligjin dhe për të përforcuar kurajon e atyre që janë në pozita me përgjegjësi për të bërë punën e tyre”, theksoi ajo.
Diskutime rreth kësaj post