Drejtuesi i prokurorisë së Posaçme SPAK, Altin Dumani, ka lëshuar një mandat shoqërimi për Ramazan Rrajën, nipin e deputetit socialist në Krujë Rrahman Rraja. Mëngjesin e sotëm SPAK, RENEA dhe oficerë të BKH kanë kryer kontrollin e disa banesave në zonën e Rinasit, Niklës dhe Krujës, me shpresën lokalizimin dhe më pas arrestimin e Ramazan Rrajës por pa sukses. Gazetari Elton Qyno tregoi detaje nga operacioni.
“Është një urdhër arresti i lëshuar nga SPAK i lëshuar me 17 janar, së bashku me të ka dhe një urdhër për kontrollin e banesës dhe një mjeti Benz Mercedes që përdorej nga Ramazan Rraja. Bëhet fjalë për ngjarje kriminale të ndodhur me datë 1 nëntor 2019 në mbikalimin e Sukthit ku u vra Andi Maloku dhe u plagosën Rrumi i Shijakut dhe prokurori i Durrësit Arjan Ndoja. Kontrollet janë bërë për ndalimin e Ramazan Rrajës si person i dyshuar si pjesëmarrës në këtë ngjarje kriminale. Tentativa e RENEA-s ka dështuar. Dy prokurorët që kanë kërkuar ndalimin e tij janë Altin Dumani dhe Adnan Xholi”.
Rraja është një personazh i njohur për policinë. Emri i tij është lakuar në vijimësi nga media.
Mësohet se SPAK po vijon me kontrollet e banesave dhe ndalimin e personave te dyshuar si pjesëmarëës në veprimtari kriminale.
Gjatë aksionit të sotëm është shpallur në kërkim Ramazan Rraja, ndërsa janë ndaluar persona të tjerë, për ngjarjen kriminale të ndodhur në 1 nëntor 2019 në mbikalimin e Sukthit.
Në këtë ngjarje mbeti i vrarë Andi Maloku dhe u plagosën Landi Muharremi dhe prokurori Arjan Ndoja.
Operacioni vijon ende dhe pritet që paraditen e nesërme SPAK të zhvillojë një konferencë për shtyp mbi detajet e këtij operacioni.
Diskutime rreth kësaj post