Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka deklaruar se raportet ekonomike Shqipëri-SHBA janë përmirësuar dhe për këtë sjell disa raste. E ftuar në një studio televizive, ambasadorja Kim deklaroi se investimet direkte nga SHBA janë 2-fishuar krahasuar me 2019.
“Deri në shtator 2022, investimet e huaja direkte nga SHBA janë 213 milionë dollarë – thuajse dy herë më shumë se sa ishte në 2019-ën, pikërisht para pandemisë. Investimet e SHBA në shëndetësi, shërbime financiare, energji dhe teknologji të informacionit e turizëm po rriten; kemi kompani si kurrë më parë këtu, sidomos në sektorin TI dhe po marrin gjithnjë e më shumë njerëz në punë e po trajnojnë gjithnjë e më shumë.
Kemi edhe një njëbrirësh këtu IntelyCare. Tregtia u dyfishua, dyfish midis 2019 nga 139 milionë në 235 milionë dollarë. Eksportet shqiptare për në SHBA thuajse u trefishuan nga viti 2019, nga 53 milionë në 137 milionë. Ka erëza, bimë mjekësore, në fakt mendoj se 70% e sherebelës që importohet në SHBA vjen nga Shqipëria. Por sot importojmë nga Shqipëria edhe produkte alumini, përfshi pjesë makinash. Dhe ky është lajm i madh.
Mendoj se Shqipëria, një nga gjërat që njerëzit e kanë të lehtë t’i besojnë janë lajmet e këqija, por shumë të vështirë të besojnë lajmet e mira. Ndaj, erdha e armatosur me disa fakte, për t’ju treguar që s’po i sajoj. Këto janë faktet. Ekonomia, tregtia e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara, biznesi me Shtetet e Bashkuara, po arrin më lart se kurrë në majë”, tha Kim.
Diskutime rreth kësaj post