Kreu i ekipit negociator të Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë se takimi midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit, për propozimin franko-gjerman, ende nuk është mbajtur, përkundër premtimit të përfaqësuesit të lartë të BE-së.
Edhe pse nuk ka zbuluar detajet e propozimit, ai ka deklaruar se plani “de jure” e mbështet qëndrimin e Serbisë se nuk duhet të ketë njohje reciproke në këtë moment.
I pyetur për deklaratën e kryeministrit Kurtit se marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të përfundojë në mars ose prill, ai tha se nëse deri atëherë Serbia nuk tregohet konstruktive në dialog, kjo do të thotë se procesi i nisur më 23 nëntor do të pezullohet.
“Sa është reale është një pyetje tjetër, por marrëveshja e nënshkruar, pra e arritur më 23 nëntor, caktoi afatin se kur duhet mbajtur mbledhja e radhës e grupit special për normalizimin në Kosovë dhe BE. Prandaj, tashmë është rënë dakord që takimi të bëhet në fund të muajit mars. Kjo është arsyeja që zoti Kurti përmend fundin e marsit si afat për nënshkrimin e marrëveshjes. Nëse deri atëherë e kuptojmë se Serbia nuk ka ndërmend të jetë konstruktive gjatë dialogut, kjo do të thotë se procesi i nisur më 23 nëntor do të pezullohet dhe Kosova do të mund të vazhdojë të shqiptojë gjoba për targat ilegale që ende lëvizin nëpër Kosovë”, është shprehur Bislimi në një intervistë për Euronews në Serbi.
Diskutime rreth kësaj post