Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në një deklaratë për mediat këtë të diel, theksoi se në Shqipëri është jetike që të mbështetet prodhimi vendas dhe fermerët.
Ai u shpreh se duhet ndjekur shembulli i Kosovës, të cilët i kanë dhënë një mbështetje të madhe bujqësisë.
Deklarata e plotë:
“Është jetike që në Shqipëri të mbështetet prodhimi, të mbështetet fermeri, të mbështetet zhvillimi i qëndrueshëm i vendit.
Bujqësia në Shqipëri është në gjendje zie sepse “Rilindja” nuk ka asnjë plan dhe jep pothuajse zero mbështetje për të.
I shkëlqyer shembulli i Qeverisë së Kosovës, që me shpalljen e rritjes së re të pagesave të drejtpërdrejta, po aplikon bujqësi të standarteve europiane, duke dhënë shembullin e shkëlqyer dhe patriotik se si mbështetet realisht bujqësia.
Megjithse Kosova ka një buxhet më të vogël se Shqipëria dhe një klime më të pafavorshme i mbështet në mënyrë dinjitoze fermerët që të punojnë në vendin e tyre, ndryshe nga Qeveria e Ramës që i mjeron fermerët dhe i largon nga vendi.
Ja pagesat e shpallura nga Ministri i Bujqësisë së Qeverisë Kurti në Kosovë, përmes Programit për Pagesa Direkte – Subvencione 2023.
Gruri do të përkrahet me 474 euro për hektar.
Patatja 654 euro për hektarë;
Fasulja 654 euro për hektarë;
Kulturat pemëtarë subvenciohen me 504 euro për hektarë.
Perimet në sipërfaqe të hapur me 554 euro për hektarë,
Perimet në sipërfaqe të mbyllura subvencionohen me 904 euro për hektarë.
Një hektar luledielli do të subvencionohet me 454 euro.
Risi tjetër është përkrahja financiare e gështenjës e cila do të subvencionohet si pemët e tjera me 504 euro për hektarë.
Gjithashtu këtë vit Kosova do të vazhdojë mbulimin e vlerës së akcizës së naftës në vlerë prej 0.36 cent për litër si dhe subvencionimin e pjesshëm të plehërave artificiale në vlerë prej 150 euro për hektarë për kulturën e grurit ndërsa 100euro për hektarë për misrin patatet dhe fasulet monokulturë.
Risi tjetër këtë vit është pagesa direkte për farën e grurit ku përveç pagesës për sipërfaqe 250 euro, do të subvencionohen 150 euro per pleherimin, 54 euro per naften dhe 0.04cent per kilogram apo nje mesatare prej prej 160 euro e qe ne total arrin 614 euro per hektar.
Edhe pagesa për prodhimtarinë e materialit fidanor të pemëve drufrutore do të subvencionohet me 0.25 euro për copë.
Tek pagesa direkte për bimët mjeksore dhe aromatike, është shtuar subvencionimi për bimët mjaltëdhënësë me 450 euro për hektarë.
Sa i përket bujqësisë organike, këtë vit do të subvencionohen në Kosovë me shtesë 50 euro për hektarë sipërfaqet që janë në konvertim ndërsa është rritur përkrahje në 100 euro për hektarë për sipërfaqet e certifikuara.
Për herë të parë do të subvencionohen zogjtë me 0.20 euro për zog.
Tek subvencionimi i grurit pragu minimal i aplikimit do të jetë një 1 hektar ndërsa sasia e dorëzuar e grurit në mulli do të startojë nga 3000kg.
Tani Kosova nuk është më 20 herë më lart se ne (në vitin 2018 ne e paguanim fermerin 3 euro /ha ndersa ata 69 euro/ha) por tani pagesa shkon deri në 100 herë më shumë në krahasim me ne.
Kosova është shembulli pse Edi Rama duhet larguar sa më parë!
Sepse për shqiptarët e Shqipërisë, për bujqit dhe blegtorët tanë, prodhimet e të cilëve kalben në sera dhe nuk gjejnë treg, taksat e të cilëve vidhen papushim me inceneratorë, koncensione dhe rrugë të florinjta, laku i varfërisë po ngushtohet dhe kosto e jetesës po bëhet më e papërballueshme, sepse Qeveria e tyre mendon dhe kujdeset vetëm për xhepat e Edi Ramës dhe ministrave të tij.
Ky është “produktiviteti” dhe konkurrueshmëria e ekonomisë tonë në raport me fqinjët nën drejtimin e “Rilindjes”.
Këto janë shanset e humbura për Shqipërinë, vende pune të humbura, eksporte të humbura, zhvillim ekonomik i munguar, varfëri dhe dëshpërim që detyron të fermerët dhe të rinjtë shqiptarë të ikin nga vendi sepse një ekonomi jo konkurruese nuk prodhon as të ardhme, as punë, as siguri.
Prandaj sot nga Kosova ikën 1 qytetar, ndërsa nga Shqipëria 5, sepse këtu Qeveria nuk ka plan për mbështetjen e Bujqësisë, por falimentimin e saj nëpërmjet “Ballkanit të Hapur”.
Partia e Lirisë ka një program konkret për mbështetjen e fermerëve për t’i dhënë frymëmarrjen dhe mbështetjen e merituar bujqësisë nëpërmjet:
Rritjes së investimeve bujqësore përmes mbeshtetjes me kredi të buta dhe fonde grant të fermerëve.
Nxitjen e prodhimit bujqësor dhe uljen e kostos së tij, duke ulur ndjeshëm barrën tatimore dhe tarifore për lëndën e parë në bujqësi.
Uljen e taksave dhe tarifave për naftën e bujqësisë.
Pajisjen me Kartën e Fermerit për të mundësuar dhe garantuar zbritjen automatike të pagesës së TVSh-së për inputet bujqësore, (plehra kimike, fidanë, fara, naftë).
Promovimin dhe mbrojtjen e prodhimit vendas nga diskriminimi, spekulimi me çmimet dhe konkurrenca e pandershme.
Heqjen e TVSH për imputet bujqësore.
Lënien e tavanit prej 50 milionë lekë investim, për përfitimin e uljes së TVSH të makinerive bujqësore.
Një shtesë prej 5 miliardë Lekë, për mbështetjen e prodhimit bujqësor-blegtoral, agroindsturial dhe marketingut.
Kosova është shembulli i shkëlqyer pse Edi Rama duhet larguar sa më parë sepse axhenda e tij është vetëm vjedhja, falimentimi dhe shpopullimi i Shqipërisë!”, deklaroi ai.
Diskutime rreth kësaj post