Kryeministri Albin Kurti ka thënë se presidenti amerikan e ka bërë shumë të qartë që Kosova dhe Serbia kanë nevojë për një marrëveshje finale e cila bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje të ndërsjellë.
Në një konferencë për media, Kurti tha se SHBA dhe shtetet e BE-së duhet t’i bëjnë trysni shtesë Beogradit për të pranuar një marrëveshje të tillë.
“Kosova është shtet normal që ka shënuar hapa të mëdhenj në këto dy vitet e fundit. Kemi stabilitet institucional. Fakti që jemi shtet normal s’do të thotë që ne i kemi marrëdhëniet normale me fqinjin tonë. Ka nevojë për një marrëveshje që i normalizon marrëdhëniet dhe kjo duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër. Unë besoj se kjo është e mundur sepse besoj në fuqinë e BE-së dhe SHBA-së që të bëjnë trysni shtesë mbi Beogradin. Kanë mjaftueshëm fuqi që të bëjnë trysni në Beograd që të kemi marrëdhënie normale me një marrëveshje të tillë, e cila do ta bënte përfundimisht njohjen reciproke”.
Ndërkaq, për deklaratat e presidentit serb se nëntë shtete kanë hequr vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, tha se asnjëherë nuk dolën ashtu.
“Asnjëri prej pretendimeve që e kanë thënë në Beograd nuk është vërtetuar nga MPJ”./Express/
Diskutime rreth kësaj post