Avokat i njohur, Idajet Beqiri ka zbuluar dje dosjet të cilat sipas tij, frenohen nga politika për të shkuar në gjykim.Në një lidhjeje të drejtpërdrejtë me një media, Beqiri theksoi ditën e djeshme se Gërdeci, 21 janari dhe kontrabanda e armëve me Serbinë janë disa nga dosjet të cilat pengohen të shkojnë për gjykim në drejtësinë e re.“Nuk jam dakord që të merremi me dosjet e reja. Nuk është e vërtetë që dosjet e reja i kemi të gatshme, pasi të vjetrat janë formësuar dhe kopsitur tashmë për gjykim. Ato nuk i ka lejuar politika e pandëshkueshmërisë të venë në gjyq.Nuk mund të krahasosh 1997-ën, Gërdecin, 21 janarin, apo trafikun e armëve ndaj Serbisë për të bërë ato masakra në Bosnje, nuk mund t’i krahasosh këto dosje që kanë shkaktuar qindra viktima me inceneratorët. Këto dosje sjellin optimizëm”, deklaroi ai.
Më tej zoti Beqiri theksoi gjithashtu se drejtësia e re duhet të çojë në bankën e të akuzuarve të gjithë politikanët përgjegjës për korrupsionin 32-vjeçar.“Pritshmëritë e Shqiptarëve janë që korrupsioni i lartë shtetëror ai i 32-viteve, i vjetri dhe i riu duhet të marrin goditjen e duhur dhe të shkojnë në bankën e të akuzuarve me akuzat përkatëse. Korrupsioni i lartë shtetëror me ish-president, ish-kryeministria, ministra apo dhe kryeministra, të gjitha këto dosje nëse ka apo të formësohen duhet të shkojnë për gjykim dhe nuk duhet të flenë gjumë”, nënvizoi avokat i njohur, Idajet Beqiri.
Diskutime rreth kësaj post