Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka ka kritikuar demokratët të cilët nuk kanë më besim te PD-ja.
Ai tha se disa prej tyre mendojnë se misioni i Partisë Demokratike ka mbaruar, por ata ndërkohë heshtin për kundërshtarët dhe bëjnë debate brenda partisë.
“Më kanë venë të flas si veteran në evenimente të tilla megjithëse nuk e kam qejf këtë rol. E para nuk e ndjejë veten veteran dhe së dyti nuk dua të dukem si ata veteranët që na e nxijnë për 50 vjet. Dua ta filloj me një falenderim për gazetarët e “Rilindjes Demokratike” që kontribuan dhe vijojnë të kontribuojnë pas kaq vitesh në lirinë e qytetarëve dhe të vendit. “Rilindja Demokratike“ që kur lindi nuk lindi si një gazetë e zakonshme, lindi si misionare, vinte pas 50 vitesh diktature ku fjala e lirë ishte shuar. Që në 3, 4 të mëngjesit suleshin qytetarët për të marrë numrat e gazetës. Kjo besoj na bëri dhe të famshëm atëherë. Sot ata gazetarë janë politikanë ose emra të njohur të gazetarisë. Misoni i “Rilindjes Demokratike’ nuk ka mbaruar. Ky debat është bërë edhe për Partinë Demokratike për fat të keq nëse ka mbaruar misioni i saj apo jo. E kanë bërë disa miq brenda partisë këtë debat ndërkohë që nuk thonë asgjë për partinë 8-vjeçare që kanë përballë. Për mua Rilindja Demokratike nuk e ka mbaruar ende misionin e saj, për të mos e lënë vendin të rikthehet aty ku ishte”, u shpreh ai.
Diskutime rreth kësaj post