Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur mbi sfidat e vendit të trashëguara nga viti i kaluar dhe shanset për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës ai ka thënë se barrikadat nga frika i vendosën, nga frika i hoqën. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova edhe këtë vit mund të përballet me sfida të reja pasi sipas tij Serbia fqinje ka qëndrime agresive ndaj vendit tonë. Ai ka shtuar se Kosova ka treguar gjentilesë ndaj KFOR-it sa i përket largimit të barrikadave.
“Policia jonë do të ndërhynte para vitit të ri nëse nuk do të hiqeshin barrikadat. Ne i dhamë KFOR-it kohën që ai kërkoi, pasi normalisht se më mirë do të ishte të hiqeshin barrikadat pa intervenimin e policisë. U bë mirë që ata që i vendosën barrikadat i larguan ato. Bindja ime e fuqishme është se ata nga frika i vendosën e nga frika i larguan ato”.
I pari i ekzekutivit ka thënë po ashtu se nuk ka pasur negociata me Serbinë, por negociata ka pasur me Ambasadën Amerikane e KFOR-in. Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës s’ka ofruar asgjë në shkëmbim në mënyrë që të hiqen barrikadat në veri të vendit.
Ai tha se krejt çka ka dhënë Qeveria e Kosovës është koha shtesë për KFOR-in, teksa shtoi se gjatë gjithë kohës ka pasur komunikime me ambasadën amerikane, ambasadorët e QUINT-it, KFOR-in e EULEX-in.
“Kemi pasur komunikime me ambasadën amerikane, ambasadorët e QUINT-it e sidomos me KFOR-in e EULEX-in, por ne s’kemi ofruar asgjë në shkëmbim, përveç kohës shtesë për KFOR-in dhe gjithashtu ishte e qartë që ato barrikada u ngritën nga struktura ilegale të Serbisë që u shndërruan në banda kriminale pikërisht në kohën kur ne u dakorduam që t’i shtyjmë për prill të vitit 2023 zgjedhjet në 4 komunat në veri. Në një mënyrë, atëherë kur ne e bëmë një koncesion, ata i ngritën barrikadat sepse kishin ngelur pa pretekst”, është shprehur Kurti në VOA.
Diskutime rreth kësaj post