Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka kritikuar qytetarët për shitblerjen e votës, teksa po afrohen zgjedhjet vendore të 14 majit.
Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Manjani thotë se faji për shitblerjen e votave nuk duhet kërkuar te të pafytyrët që sipas tij janë blerësit, por edhe te faqezinjtë, që ai pretendon se janë shitësit.
Ai shprehet se është rehatllëk të drejtosh gishtin nga ai që blen, por thekson se blerësi nuk mund të lajë kusuret e shitësit.
“Që ta mbledhim mendjen, opsioni që blerësit e votave do ndalojnë së bleri vota për moral apo nuk e di se përçfarë tjetër, nuk ekziston!
Ata që kanë pushtet e për pasojë edhe paranë, do ta përdorin atë sa herë ka njerëz që shiten si delet.
Në fund të fundit pushteti ua vjedh paranë njerëzve për t’i blerë ata sa herë u duhet vota. Nëse votuesi nuk e kupton apo nuk do ta kuptojë këtë gjë, s’është më “faji” i blerësit.
Ndaj, i vetmi opsion është mosshitja e votës.
Nëse “pronari” i demokracisë, votuesi pra, vendos ta shesë votën dhe veten është e kotë që lodhemi me demokracinë.
Morali në këtë rast nuk kërkohet aq tek të pafytyrët (blerësit e votës), sesa tek faqezinjtë (shitësit e saj).
E di shumë mirë se është rehatllëk të drejtosh gishtin nga ai që blen, por blerësi nuk mund të lajë kusuret e shitësit.
Edhe në qoftë se shitësit janë 1 milionë, njësoj e mendoj.
*me shitje të votës kam parasysh të gjitha mënyrat e dhënies së votës në këmbim të një interesi privat”, shkruan ish-ministri.
Diskutime rreth kësaj post