Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, në një prononcim, ka reaguar pas deklaratave të presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, se 9 shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës si shtet i pavarur.
Duke folur për Abcnews.al, Hoxhaj ka theksuar se është koha që qeveria e Kosovës të sqarojë të vërtetën, nëse ka shtet që janë tërhequr nga njohja e pavarësisë së Kosovës apo jo.
Sipas tij në kohën që ai ka qenë në detyrë si Ministër i Jashtëm, numri i shteteve që kanë njohur Kosovës si shtet i pavarur ka qenë 115-të.
“Një kaos qëndrimesh, kërcënimesh dhe gabimesh i një politike të jashtme shterpe tregojnë që Kosova po udhëhiqet nga dështimi në dështim! Për dy vjet, Kosova nuk ka marrë asnjë njohje të vetme!
Përkundrazi, Serbia është duke e goditur kudo Kosovën. Nga goditja kundër sovranitetit të brendshëm në veri në fundvit tani po i shtohet edhe rrudhja e sovranitetit të jashtëm në fillimvit, me një listë pretendimesh për çnjohje të Kosovës!
Sa kam qenë Ministër i Jashtëm, zyrtarisht Kosovën e kishin njohur 115 shtete, ndërsa sot, qeveria duhet te sqarojë nëse janë të vërteta pretendimet se Kosovës i janë hequr disa njohje! Ka të bëjë me interesin vital të Kosovës që të tregohet nëse këto pretendime janë të vërteta dhe përgjegjësinë e mbajnë Presidentja, Kryeministri dhe Ministrja e Jashtme për këtë dështim!”, u shpreh Hoxhaj.
Ndërkohë që Vuçic ka bërë publike sot 9 vendet që kanë tërhequr njohjen e Pavarësisë Kosovës. Kreu i shtetit serb po ashtu pretendoi se ekziston edhe një shtet i dhjetë, megjithatë ai nuk ka specifikuar se për cilin shtet bëhet fjalë.
“Ne nuk mund t’u bëjmë ballë fuqive të mëdha, ne jemi të vegjël, Gjermania, Amerika dhe Evropa janë të mëdha. Aktualisht janë 106 shtete që nuk e njohin Kosovën. Nëntë e kanë tërhequr njohjen e tyre. Këto janë: Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Esëatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucia e Maldivet. Ekziston edhe një shtet tjeter që ka njoftuar se do të tërheq njohjen”, tha Vuçiç.
Diskutime rreth kësaj post