Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha se kanë marrë garancitë “më të forta ndonjëherë” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për tërheqjen e serbëve nga barrikadat e ngritura në veri të Kosovës.
“Po e shfrytëzoj mundësinë për të dhënë lajmin e mirë se kemi marrë garancitë më të forta ndonjëherë nga SHBA-ja dhe BE-ja kur bëhet fjalë për kërkesat e serbëve, kushtet e tyre që të tërhiqen nga barrikadat”, tha Petkoviç. Petkoviq e cilësoi si lajm të mirë ndryshimin e masës së sigurisë të Dejan Pantçit, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
“Është një fitore e madhe, mbi të gjitha për popullin serb në Kosovë”, tha ai.
Ish-policit serb, Dejan Pantiç, autoritetet në Kosovë ia ndryshuan masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak. Ai ishte arrestuar më 10 dhjetor në Jarinjë, nën dyshimet për “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Arrestimi i tij nxiti disa serbë lokalë të bllokonin rrugët në veri. Për shkak të barrikadave të vendosura, që nga 10 dhjetori, dy pikat kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak – janë të mbyllura.
Më 27 dhjetor, për shkak të barrikadave të vendosura në territorin e Serbisë, u mbyll edhe pika tjetër kufitare, ajo e Merdares./REL
Diskutime rreth kësaj post