Shefja e drejtorisë së Mjedisit në Bashkinë e Tiranës, Vjola Sterjo, është arrestuar në kushtet e flagrancës, për veprën penale të mashtrimit. Mësohet se zyrtares së lartë vendore i janë hedhur prangat këtë të mërkurë.
Newsbomb.al raporton se zyrtarja e bashkisë është arrestuar për llogari të hetimeve të drejtuara nga Prokuroria e Korçës dhe menjëherë është nisur drejt qytetit juglindor.
Policia e Korçës thotë se ndalimi i Vjola Sterjos është bërë pasi, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendimin e datës 26.12.2022, ka caktuar për këtë shtetase masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda.
Dyshohet se Sterjo ka mashtruar 5 subjekte, duke u marrë shuma që variojnë nga 20 mijë euro deri n 90 mijë euro. Sipas burimeve u ka premtuar subjekteve se do të ndërhyjë për të fituar projekte nga AZHBR-ja. Bizneset kanë paguar lekët kundrejt projekteve që varionin nga 1 milion deri 4 milionë euro.
Nga hetimet e kryera rezulton se në periudhën mars-nëntor 2020, nëpërmjet mashtrimit, Vjola Sterjo, dyshohet se ka përfituar në qytetin e Korçës, një shumë të konsiderueshme monetare, me qëllim ndikimin e saj në institucione shtetërore, që qytetarë të ndryshëm të përfitonin fonde monetare nga shteti.
Njoftimi i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë:
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Kërkimit në DVP Tiranë, bënë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë për ndalimin e shtetases V. S., 39 vjeçe, banuese në Tiranë.
Ndalimi i saj u bë pasi, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendimin e datës 26.12.2022, ka caktuar për këtë shtetase masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda. Nga hetimet e kryera rezulton se në periudhën mars-nëntor 2020, nëpërmjet mashtrimit, V. S., dyshohet se ka përfituar në qytetin e Korçës, një shumë të konsiderueshme monetare, me qëllim ndikimin e saj në institucione shtetërore, që qytetarë të ndryshëm të përfitonin fonde monetare nga shteti.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.
Diskutime rreth kësaj post