Prej disa ditësh situata në veri të Kosovës vijon të jetë e tensionuar. Gazetarja, Leonita Bajrami u sulmua me lëndë plasëse gjatë kohës që zhvillonte një lidhje direkte për “Shqipëria Live” nga Mitrovica.
Ndërkohë që ajo po shpjegonte situatën e krijuar në veri, aty ku janë vendosur dy barrikada të reja mëngjesin e kësaj të marte, i është hedhur kapsollë. Incidenti është regjistruar në minutën e 05:40.
Ajo u largua menjëherë dhe pamjet filluan të transmetoheshin “live” edhe pas këtij incidenti. Më pas, për arsye sigurie, ajo u largua nga vendi i ngjarjes së bashku me operatorin.
Theksojmë se dy barrikada të reja janë vendosur në veri të Kosovës sot, një në Mitrovicë të Veriut dhe një në Zveçan, te vendi i njohur si Kërshi i Dudës.
“Në veri të vendit, gjatë natës persona/grupe kriminale, kanë vazhduar vendosjen e barrikadave duke penguar edhe më tej lirinë e lëvizjes së lirë. Referuar informacioneve zyrtare, janë vendosur edhe dy barrikada me mjete të rënda”, tha Policia.
Diskutime rreth kësaj post