“Kur jemi bashkë, vështirësitë kalohen më lehtë, kurse gëzimet bëhen më të mëdha”, ishin fjalët e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në drekën e shtruar në Qendrën Sociale Multidisiplinare me rastin e festës së Krishtlindjes.
Veliaj dhe stafi i bashkisë shërbyen drekën për njerëzit në nevojë, frekuentues të qendrës.
“Këto vite na mësuan se jeta na përplas, na hedh në një cep – nuk e donim as pandeminë, as tërmetin dhe shkatërrimin që solli, as shumë prej vështirësive që mund të kenë familjet tona – por, unë besoj se ky qytet, me 1 milionë vetë, padyshim që ka edhe shumë pasuri, njerëz që kanë bërë hajër, po sigurisht që ka edhe shumë solidaritet. Ne që jemi këtu e njohim komunitetin e qendrave sociale, kryetari i bashkisë i njeh të 9 qendrat sociale, por nuk njeh çdo njeri, në çdo pallat, në çdo rrugicë, prandaj thirrja ime për ata që i kanë mundësitë në këtë Krishtlindje dhe Vit të Ri, për ata që në këtë periudhë festash kanë më shumë ushqim seç u duhet, më shumë rroba seç u duhen, më shumë lodra seç u duhen, të bëjnë diçka për komunitetin ku jetojnë. Nëse unë nuk i di të gjitha hallet, jam i sigurt se secili në pallatin e tij e di kush është nevojtar në atë pallat, e di kush është me aftësi ndryshe në atë rrugicë, e di kush ka pasur një dhunë në familje, kush ka humbur një të afërm, një të moshuar të vetmuar me fëmijët në emigracion – për të gjithë këta kam një ftesë: ndihmoni dikë që ka nevojë në komunitet”, tha kryebashkiaku.
Diskutime rreth kësaj post